E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh grupin kuvendor për vendimin politik

10/03/2010 Diskutimi në Kuvend mbi projektrezolutën e PD për liberalizimin e vizave

Grupi kuvendor i Partisë Socialiste do të zhvillojë një mbledhje të posaçme lidhur me pjesëmarrjen në seancën parlamentare të ditës së enjte. Pritet që mbi një çështje të tillë të vendosë mbledhja e radhës e grupit kuvendor socialist. Nisur pikërisht nga kalendari i punimeve parlamentare, është parashikuar që në seancën e ditës së enjte të diskutohet mbi projektrezolutën e propozuar nga Partia Demokratike mbi procesin e liberalizimit të vizave. Në këtë mënyrë do të jetë vendimmarrja politike e takimit të ligjvënësve socialistë, ajo e cila do të marrë në shqyrtim dhe më pas për miratim, nëse kjo forcë politike do të jetë apo jo pjesë e punimeve parlamentare mbi këtë çështje. Ndërkohë që edhe pse është parë prezenca e deputetëve socialistë në Kuvend, kjo ka ndodhur për shkak se në komisionin parlamentar të Ligjeve është diskutuar lidhur me propozimet ligjore të PS-së për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë arsye, nuk mund të merret apriori se Partia Socialiste ka vendosur të heqë dorë përfundimisht nga vendimi i saj për të bojkotuar legjislativin. Megjithatë, burime pranë selisë rozë, bënë me dije se nisur nga fakti që në seancën parlamentare të radhës do të diskutohet mbi një çështje mjaft të rëndësishme për shqiptarët, mund të pritet që pjesë e diskutimeve të këtyre punimeve të jetë dhe grupi kuvendor socialist. Kjo që të mënjanohen të gjitha kundërvëniet nga ana e kampit blu në adresë të socialistëve, duke marrë si shkak mungesën e tyre në Kuvend, nëse vendimi politik i tyre do të ishte për bojkot të këtij institucioni. Ndërkohë që kjo mbledhje është shtyrë për shkak të vizitës së kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në Strasburg. Për këtë arsye, pritet që pas kthimit të tij të zhvillohet kjo mbledhje. Aktualisht, vendimi i kupolës rozë është që grupi kuvendor socialist të jetë në Kuvend vetëm për çështje që kanë të bëjnë me hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe kjo është arsyeja që pjesëmarrja e deputetëve socialistë në këtë institucion deri më tani është e kushtëzuar. Megjithatë, parë nga rëndësia që përfaqëson rezoluta e Partisë Demokratike, vendimi politik i kupolës rozë mund të mos respektohet nga të gjithë ligjvënësit socialistë. Kjo për vetë faktin se janë pikërisht përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe brenda Partisë Socialiste, ata të cilët kanë deklaruar pak ditë më parë se do të jenë në Parlament seancën e së enjtes, si një detyrim ndaj zgjedhësve socialistë.

Takimet

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u nis dje në Strasburg për një vizitë dy ditore ku pritet të takojë drejtuesit e partive socialistë evropiane. Kështu, gjatë ditës së sotme kreu socialist Rama pritet të takojë nënkryetarin e grupit socialist në Parlamentin Evropian, Hanes Svoboda, presidentin e Partisë Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, njëkohësisht Zëvendëspresident i Internacionales Socialiste, Martin Shultz, si dhe zëvendëspresidentin e Parlamentit Europian, Libor Roucek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›