E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, me Ruçin nga Rilindja në Vazhdimësi

07-09-2013 / Gazeta 55

Duhet Harruar edhe zyrtarisht “Rilindja” e propaganduar fuqishëm në fushatën zgjedhore – tek e majta bëhet fjalë vetëm për Vazhdimësinë e nomenklaturës Hoxhiste. Si një ripërsëritje e arrogancës së regjimit të vjetër, vazhdimësia mishërohet tek figura e Gramoz Ruçit, garancia e hipotekës enveriste në krye të grupit parlamentar socialist. Edi Rama s’guxoi as formalisht të hapte një garë për kreun e grupit, por deklaroi hapur se ishte i lumtur që Gramozi i partisë kishte pranuar vazhdimësinë 

Shqiptarët panë dje ditën për diell, riciklimin e kongresit të Ramiz Alisë, të vitit 1986, për vazhdimësinë e nomenklaturës komuniste në Shqipëri. Mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste, ishte fotokopje e Kongresit të Vazhdimësisë së Ramizit, duke hedhur poshtë kështu “Rilindjen” dhe duke rikthyer tek shqiptarët platformën e nomeklaturës hoxhiste. S’ka alternativa zhvillimore, sikurse s’bëhet fjalë as për projekte në dobi të qytetarëve, zhvillimit ekonomik, punësimit dhe integrimit. S’ka program për mirëqenien, por në tërësi ka një interesim të jashtëzakonshëm për centralizimin e pushtetit në duart e një njeriu të vetëm dhe kjo kuptohet nga revanshi i frikshëm kundër institucioneve kushtetuese si dhe ringritja politike e njerëzve me të shkuar të pasur gjatë regjimit komunist. Dhe fjala është për Gramoz Ruçin, i cili rikomandohet kryetar grupi parlamentar të PS. Pra, e thënë shkurt, Rama nuk përfaqëson Rilindjen siç u paraqit para shqiptarëve në zgjedhje, por konfirmohet si pasardhës i diktaturës. Njëherazi duke fortifikuar edhe kollonat e vazhdimësisë, përmes riemërimit të Gramoz Ruçit kryetar të grupit parlamentar të PS. Edi Rama shkon sot para shqiptarëve me profilin e politikanit pasardhës të bllokut, bir i Kristaq Ramës, ish anëtar i Kuvendit Popullor dhe nip i Spiro Kolekës, ish ministër i Enver Hoxhës. Në kuptimin e plotë të profilizimit të tij si pasardhës i regjimit komunist, duke ngritur edhe strukturat e regjimit, njësoj si ati i tij shpirtëror 68 vjet më parë. Në PS nuk flitet më për “Rilindjen” e zgjedhjeve të qershorit. Koncepti i “Rilindjes” është dhe mbetet kamuflazhi i vazhdimësisë së njerëzve të diktaturës, të atyre që për gjysmë shekulli nuk kursyen të gjitha krimet e mundshme kundër shqiptarëve. Harrojeni “Rilindjen” e propaganduar fuqishëm në fushatë zgjedhore – bëhet fjalë vetëm për Vazhdimësinë e nomenklaturës Hoxhiste, që po përpiqet të rikthehet në jetën e shqiptarëve përmes profilizimit politik të “xhaketave të vjetra” me përfaqësues Gramoz Ruçin. Një rikthim në vitin e largët të 1986-ës, Kongresit të famshëm të Ramiz Alisë me parrullën “Vazhdimësi” dhe “Enveri është midis nesh”. Por, shqiptarët dinë të vendosin për fatet e tyre dhe ashtu siç ia shkurtuan ditët atij Kongresi famëkeq që kërkonte të mbante në këmbë fantazmën e Enver Hoxhës, të njëjtën gjë do t’i bëjnë edhe “Vazhdimësisë së nomenklaturës hoxhiste” që sot lartësohet nga Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe pinjollët e tjerë të bllokut. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›