E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, në Kuvend për betimin dhe kutitë

Grupi parlamentar do caktojë datën për 25 shkurtin ose 4 marsin. Gati paketa e propozimeve

Vizita zyrtare në Tiranë e nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Hanes Svoboda, ka sqaruar skemën e opozitës përballë bojkotit të Kuvendit. Burimet nga selia rozë sqaruan dje se pritet të ketë mbledhje shumë të shpejtë të grupit parlamentar i cili do të marrë vendimin zyrtar. Referuar po të njëjtave burime, mësohet se deputetët e Partisë Socialiste pritet të marrin pjesë në seancat e ardhshme, por nuk saktësuan përfundimisht nëse kjo do të ndodhë më 25 shkurt apo më 4 mars. Sakaq, kreu i socialistëve ka marrë premtim për mbështetje dhe lobing të socialistëve europianë pas takimit që pati në Tiranë me Hanes Svoboda.

Bojkoti

Burimet nga selia rozë qartësuan për “Shqip” planin që ka Partia Socialiste për t’u rikthyer në Kuvend. Mësohet se ditën e sotme (maksimumi ditën e nesërme) do të mblidhet grupi parlamentar, i cili do të diskutojë në detaje situatën politike dhe marrëdhënien me Kuvendin. Pritet që të vendoset hyrja në Kuvend e deputetëve dhe kryerja e betimit të tyre. Më pas do të diskutohet në lidhje me propozimin konkret të socialistëve për hetimin parlamentar, dokument që do ta depozitojnë në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor. Thelbi i çështjes qëndron tek objekti i hetimit që do të ketë komisioni parlamentar. Mësohet se socialistët do të sanksionojnë që ai të përfshijë edhe hapjen e kutive të votimit për ato zona ku ka dyshime. Nëse mazhoranca do të refuzojë këtë objekt hetimi që përfshin edhe hapjen e kutive, atëherë opozita do të rikthehet në bojkot duke rilënë seancat e Kuvendit. Sakaq, zyrtarisht dje, kreu socialist, Edi Rama, i bëri thirrje Këshillit të Europës që ta dorëzojë një kërkesë në Komisionin e Venecias ku të kërkohet interpretimi në lidhje me çështjen e hapjes së kutive të votimit në Shqipëri.

Svoboda

Pak orë pas largimit të delegacionit të KiE-s në vendin tonë, Hanes Svoboda deklaroi se PS ka të drejtë të kërkojë transparencën e zgjedhjeve, por këtë duhet ta bëjë në Parlament. Krah Edi Ramës në një konferencë për shtyp, Svoboda tha se PS duhet të shkojë në Parlament “dhe aty që paraqesë nismën e saj ligjore për hapjen e kutive”. Ndërkohë, ai iu referua edhe Komisionit të Venecias, duke deklaruar se KiE mund të ndikojë që vendimi i interpretimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të bëhet sa më shpejt. “PS, pavarësisht ankesave për padrejtësi pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe është e logjikshme që kjo parti të kthehet në Parlament. Por PS nuk mund ta ndalë luftën për transparencë. Me sa kam folur me anëtarët e delegacionit të Këshillit të Europës ata e mbështesin këtë luftë për transparencë”, theksoi Svoboda. Ndër të tjera, ai vuri në dukje se një prej zgjidhjeve është që PS të kthehet në Parlament dhe të propozojë kërkesën e saj për transparencë. “Dhe më pas çështja të çohet në Komisionin e Venecias dhe të kërkohet hapja e kutive. Në këtë komision, çështja do të diskutohet me urgjencë që të mos zgjasë muaj e muaj pa fund”, theksoi Svoboda. Sipas tij, jo gjithçka duhet lënë në dorën e opozitës, duke kërkuar prej saj lëshime. Svoboda vuri në dukje se i takon edhe qeverisë që të jetë bashkëpunuese. “Pres që qeveria të jetë bashkëpunuese, sepse edhe ata janë të interesuar për legjitimitetin. Kompromisi është kompromis dhe ai nuk mund të jetë vetëm nga Partia Socialiste. Ka 15 vjet që ne zhvillojmë takime dhe shikojmë se kundërshtimi i zgjedhjeve është i vazhdueshëm dhe kjo nuk duhet të ndodhë më. Nga takimet që ka bërë Këshilli i Europës ka një rrugëdalje, por rrugëdalja nuk është që gjendja të ngelet siç ka qenë, por rrugëdalja është të ndryshohet situata për të mos pasur më parregullsi në zgjedhje”, deklaroi Svoboda.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›