E gjithë Shqipëria, një orë në terr

E gjithë Shqipëria në terr. Një defekt i rëndë në linjën e transmetimit ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në të gjithë vendin, nga Vermoshi në Konispol, nga Prespa në Karaburun. Kufizimi i energjisë filloi pak pas orës 21:00 dhe pati kohëzgjatje të ndryshme në rrethe të ndryshme, duke u kthyer fillimisht në Tiranë rreth orës 21:45, në Kukës rreth orës 21:55, në Shkodër rreth orës 22:00, ndërsa më pas drita është lëshuar minutë pas minute në të gjithë vendin.
Drejtues të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ishin të paqartë deri në mbrëmje vonë për shkaqet e defektit dhe natyrën e saktë të tij. Një drejtues i KESH-it tha për gazetën “Shqip” se dihej me saktësi se kishte një defekt të rëndë në sistemin e transmetimit, por jo detajet e këtij defekti. “Duhet të ketë qenë një defekt në linjën 400 kilovoltëshe të importit”, tha zyrtari i KESH-it, pa mundur të jepte më shumë të dhëna.
Ndërkohë, mësohet se defekti në linjën e transmetimit ka bërë që për më shumë se 30 minuta të ndalen turbinat e të gjithë hidrocentraleve të vendit. Një specialist i hidrocentralit të Fierzës, i cili ishte në punë dje në mbrëmje, i tha korrespondentit të gazetës “Shqip” në Kukës se hidrocentrali ishte fikur papritur dhe ishte dashur rreth gjysme ore për ta rivënë në punë dhe për të konfirmuar kështu edhe se defekti nuk ishte në Fierzë, por diku gjetkë në linjën e transmetimit.
Për shkak të ndërprerjes së menjëhershme të energjisë, për më shumë se një orë ka pasur probleme edhe në sistemin e telefonisë së lëvizshme. Nga ora 21:05 deri në orën 22:00 komunikimi në celular ka qenë thuajse i pamundur në pjesën më të madhe të vendit, për shkak të fikjes së antenave. I njëjti fenomen ka ndodhur në këtë hark kohor edhe me antentat e radiove dhe televizioneve, por me më pak pasoja, pasi në kushtet e “black out”-it edhe radiodëgjuesit dhe teleshikuesit kanë qenë të pakët.
Në rrethet kufitare si Gjirokastra, për shkak të mungesës së informacionit në lidhje me defektin është nxituar të gjenden zgjidhje të pjesshme. Kështu, autoritetet lokale kanë hyrë menjëherë në kontakt me Greqinë dhe kanë siguruar mundësinë e furnizimit të përkohshëm nga Janina, gjë që nuk është realizuar pasi sistemi shqiptar i transmetimit është vënë sërish në funksionim.
I vetmi lajm i mirë që doli në dritë nga 60 minutat e errësirës ishte konfirmimi i policisë, se nuk kishte pasur asnjë raportim për vjedhje apo krime të tjera gjatë kësaj kohe. Nga spitalet konfirmohet gjithashtu se nuk janë shkaktuar probleme serioze për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
#