E Enjte, 5 Nëntor 2026

PS në qeverisje, Rama: Është dyfishuar Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar

TIRANË, 9 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së  deklaroi sot se “në vitin 2013 Shqipëria ishte një vend me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar 12.7 miliardë dollarë, ndërkohë që sot është dyfishuar duke arritur në 25.4 miliardë dollarë”.

Në një takim të hapur me aplikantët e platformës “Deputeti që duam”, kryeministri Rama solli në vëmendje ndryshime që ka pësuar vendi në qeverisjen e PS-së.

“Kur erdha në krye të PS-së ne e nisëm një proces në një kohë tjetër, në kushte të tjera, me instrumente të tjerë. Në atë kohë nuk kishte rrjete sociale dhe faktikisht ne filluam një ndryshim të gjeneratës që zinte vendin kryesor në gjithë nivelin vendimmarrës të PS-së”, tha Rama.

Ai kujtoi se PS-në e cila fitoi zgjedhjet e vitit 2013 ishte një parti që vinte me fuqinë e atij ndryshimi gjenerate.

“Ajo gjeneratë për gjithë këto vite ka qenë një gjeneratë dominante për PS-në. Natyrisht që PS e vitit 2013 kishte shumë të rinj e të reja që për hir të së vërtetës patën edhe fatin që t’i krijonin ‘muskujt’ e tyre në opozitë. Ndërkohë që për PS-në e vitit 2030 sfida është që ndryshimi i gjeneratës të bëhet ndërkohë që ne jemi në qeverisje”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “partia që fitoi zgjedhjet e para dhe që fiton prej atëhere çdo zgjedhje, është një parti e cila ka bërë jashtëzakonisht shumë për këtë vend përmes fuqisë në qeverisje dhe fuqisë që i është dhënë nga njerëzit edhe në nivelin vendor”.

“Sot Shqipëria është një vend tjetër nëse nisemi nga pika ku filloi kjo periudhë në udhëheqjen e vendit. Shqipëria ishte një vend me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar 12.7 miliardë dollarë dhe sot është një vend me afro 25.4 miliardë dollarë, fiks dyfishi. Po kështu edhe Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar për frymë, pothuajse dyfishi. E njëjta gjë në të gjitha drejtimet e sektorët. Por kjo është Shqipëria në raport me aty ku u nisëm, me një vend në buzë të humnerës, i zhytur në borxhe dhe halle, një vend ku sipërmarrja po kolapsonte sepse nuk paguante më. Një vend ku kantieret publike ishin plagë me gropa të hapura për të cilat na u desh një periudhë e gjatë që t’i mbyllnim. Flas për gropa fizike dhe gropa financiare”, tha Rama.

Ndërkohë sot, kryeministri theksoi se “nuk matemi me ku ishim por matemi me ku duam të jemi në vitin 2030”.

“Prandaj na duhet një energji ende më e madhe, një PS që të jetë pasqyra e ambicies jo thjesht e vetvetes por e shoqërisë, të pjesës dërrmuese të shoqërisë për Shqipërinë. Na duhet një parti që të jetë pasqyrë edhe e të gjithë forcave të progresit në shoqëri. Forcave të progresit të mishëruara në fytyrën, emrin, zërin, mendjen, zemrën, shpirtin e të gjithë atyre individëve që janë pjesë e këtyre forcave të sipërmarrjes, të botës universitare, të shoqërisë civile, forcave të punës në fshat. Forca të cilat në një pjesë të konsiderueshme janë forca mbështetëse të PS-së”, shtoi Rama.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›