E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nis “spastrimin” për zgjedhjet 2027: Rama largon emra të njohur dhe riorganizon qarqet

Partia Socialiste ka ndezur motorët për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke ndërmarrë një riorganizim të thellë në drejtimin politik të qarqeve. Në mbledhjen e Asamblesë, kryesocialisti Edi Rama ka bërë lëvizje të forta, duke larguar disa nga figurat kryesore dhe duke rikonfirmuar të tjerë në zonat më të sigurta elektorale.

Ndryshimi më i bujshëm është në Tiranë, ku Elisa Spiropali largohet nga drejtimi i qarkut dhe zëvendësohet nga Taulant Balla. Ky i fundit do të mbajë njëkohësisht edhe rolin e koordinatorit për diasporën, si dhe drejtimin e njësisë 5 bashkë me Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj.

Përveç Spiropalit, Rama ka larguar nga drejtimi i qarqeve edhe Eduard Shalsi, Benet Beci dhe Emirjana Sako, duke sinjalizuar një rifreskim të strukturave drejtuese.

Spiropali, pas largimit nga drejtimi i qarkut, do të mbetet vetëm në nivel njësie në Tiranë, konkretisht në njësinë 13 bashkë me Anila Denaj. Ndërkohë, drejtimin politik të Bashkisë Tiranë vijon ta mbajë Ogerta Manastirliu.

Qarqet e konfirmuara

Në disa prej bastioneve më të forta elektorale, Rama ka zgjedhur stabilitetin duke konfirmuar drejtuesit aktualë:

  • Belinda Balluku në Fier
  • Bledi Çuçi në Vlorë
  • Niko Peleshi në Korçë
  • Mirela Kumbaro në Gjirokastër
  • Arbian Mazniku në Elbasan
  • Ervin Demo në Berat

Emra të rinj dhe rikthime

Dy ministra të rinj, ende të paprovuar në zgjedhje, marrin përgjegjësi të rëndësishme:

  • Enea Karakaçi në Shkodër
  • Ermal Nufi në Lezhë

Ndërkohë, Ulsi Manja rikthehet në Dibër, ndërsa Blendi Klosi zhvendoset në Durrës. Në Kukës, Rama teston një figurë të re, deputetin Erion Malaj.

PS do të zgjerojë strukturat edhe jashtë vendit, duke nisur një fushatë të gjerë regjistrimi në shtete si Itali, SHBA, Gjermani, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar. Procesi do të zhvillohet nga 30 marsi deri më 30 shtator.

Sekretari i përgjithshëm Blendi Klosi vendosi objektiv shtimin e anëtarësisë, ndërsa Rama kërkoi rritjen e përfaqësimit të grave nga 34% në 50%.

Kryeministri vendosi edhe kushte të forta për rikandidimin në 2027: asnjë kryetar bashkie nuk do të rikandidojë pa realizuar të paktën 10 kontrata në kuadër të “Paketës së Maleve” dhe pa ngritur 3 ndërmarrje të përbashkëta.

Ky riorganizim i gjerë sinjalizon një strategji të qartë të PS për të hyrë më e fortë në zgjedhjet vendore, me fokus te kontrolli i qarqeve kyçe, rritja e strukturave dhe mobilizimi i diasporës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›