PS premton: Do ngremë një Inspektorat Kombëtar të Pastrimit për një Shqipëri pa plehra
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare, tha se qeverisja e kryeministrit Sali Berisha ka dështuar me turizmin dhe çështjet e ambientit.
Në këtë hapje të sezonit turistik 2013 shqiptarët janë dëshmitarë të dështimit të radhës të kryeministrit në ikje. Ai dështoi me turizmin sepse degradoi në shumë sektorë thelbësor që lidhen me rurizmin, njeri prej tyre është mjedisi si pasuri kombëtare, tha deputeti i PS.
Në 2005, Sali Berisha premtoi zhvillim të qëndrueshëm. Sot Shqipëria është vendi unikal në Europë ku mungon zhvillimi i qëndrueshëm, ku burimet natyrore si toka, pyjet, shtretërit e lumenjve, bregdeti, peizazhi kanë pësuar degradimin më të madh.
Në 2005 u premtua, se ne fundin e mandatit të parë, pra në 2009 do trajtoheshin të gjithë ujërat e zeza në zonën bregdetare. Sot pas 8 vitesh, në të gjithë zonën bregdetare, vetëm në një qytet kemi impiant të lidhur me kanalizimet urbane, që të mund të bëjë trajtim të ujërave të zeza nga pikëpamja kimike dhe biokimike. Kjo gjendje rrezikon jo vetëm zhvillimin e turizmit, por edhe shëndetin e banorëve dhe vizitorëve të këtyre zonave.
Sa i takon landfilleve, sot ka vetëm një të tillë në Bushat dhe ai është jo funksionues.
Në shumicën e qyteteve të mëdha si Vlora, Fieri, Durrësi etj. etj. mbetjet hidhen e digjen pa kriter, të përziera me mbetje të rrezikshme dhe spitalore, duke ndotur ujërat sipërfaqësorë e nëntokësorë si dhe ajrin urban, vijoi Bare.
Deputeti i PS tha se po shkatërrohen lumenjtë, të cilët shfrytëzohen në mënyrë dramatike.
Është thelluar dëmtimi i zonave të mbrojtura, pyjeve, mbulesës bimore dhe bio-diversitetit. Ambienti nga një trashëgimi e përbashkët natyrore për t’u mbrojtur, është kthyer në një mall të tregtuar në pazaret e pushtetit. Eksporti i druve të zjarrit e qymyrit të drurit lulëzon. Si pasojë e prerjeve të pyjeve ne kemi erozionin më të lartë në Europë dhe ndodhin përmbytje dramatike për nivel të ulët të reshjeve, tha Bare.
Ai premtoi se objektivi i socialistëve kur të vijnë në pushtet është krijimi i Inspektoratit Kombëtar të Pastrimit, që do të mundësojë një Shqipëri pa plehra, brenda mandatit të parë qeverisës.
Pas 23 qershorit ne do të fillojmë një aksion të pandalshëm për të pastruar nga mbetjet territorin e Shqipërisë.
Ne do të mundësojmë rehabilitim rrënjësor, të pyjeve, të shtretërve të lumenjve, të pasurive ujore, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm, të integruar dhe të përgjegjshëm të mjedisit.
Do të ndalojmë derdhjen e ujërave të zeza në dete, liqene dhe lumenj, për të gjitha qendrat e mëdha urbane të vendit.
Në angazhimin tonë do të përfshijmë dhe të gjithë elementët shoqërorë dhe qeverisës, biznesin, shkollën, shoqërinë civile, median, familjen dhe pushtetin lokal, tha Bare./ep