PS proteston sot kundër qeverisë

Partia Socialiste rikthehet sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në një demostratë kundër mazhorancës dhe qeverisjes që ajo po i bën vendit.
Në orën 16.00 opozitarët do të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të demostruar kundër kryeministrit Sali Berisha dhe drejtimit që ai po i bën vendit. Partia Socialiste ka bërë të ditur se ndryshe nga dy herët e shkuara në këtë demostratë do të vendoset podium dhe do të ketë fjalime të drejtuesve socialiste dhe të përfaqësuesve të opozitës së bashkuar.
Organizatorët kanë paralajmëruar këtë demostratë si nisjen e një vale të re përmes së cilave kërkesa e vetme ndaj kryeministrit Sali Berisha do të jenë zgjedhjet e parakohshme. Qytetarët që do të mbështesin këtë demostratë do të mblidhen nga të gjithë qytetet e vendit dhe nga pika të caktuara në kryqytet do të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Tek stacioni i Trenit do të grumbullohen njësitë bashkiake 8 dhe 9, por edhe qytetarë e ardhur nga zonat veriore të vendit, të cilët në orën 13 e 30 do të nisin marshimin drejt bulevardit. Tek “Zogu i Zi” do të grumbullohen banorët e njësisë 11, por edhe qytetarët e ardhur nga Vora, Durrësi, Fushë Kruja ku përmes rrugës së Durrësit do të dalin në sheshin “Skënderbej” drejt bulevardit.
Tek stadiumi “Dinamo” do ketë disa grumbullime të njësinvë bashkiake 5 e 7 si dhe qytetarëve që do mbërrijnë nga jugu i vendit. Tek Fakulteti Filologjik do të mblidhen njësitë 1 e 2 dhe demostruesit që do të vijnë nga qytetit i Elbasanit.
Në protestë do të ketë 8 fjalime nga qytetarë të thjeshtë dhe familjarë të viktimave të 21 janarit ndërsa kryesocialisti Rama do të mbajë një fjalim në fund të demonstratës.