E Diel, 1 Nëntor 2026

PS rrëzon kërkesën e PD-së ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar / KAYO i dha 34 mln euro Ron Yeffet për 6 muaj

Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kompaninë shtetërore KAYO.Kërkesa e opozitës u paraqit në Konferencën e Kryetarëve, pas publikimit në media të pretendimeve lidhur me aktivitetin e kompanisë dhe përfshirjen e saj të dyshuar në transaksione të armëve.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka kërkuar që të hetohet veprimtaria e KAYO-s, duke pretenduar se nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 34 milionë euro.

Sipas tij, opozita kërkon të zbardhë mënyrën se si janë përdorur këto fonde, kontratat e lidhura nga kompania dhe marrëdhëniet me partnerët privatë.

Bardhi ka deklaruar gjithashtu se opozita ka kërkuar informacion nga Ministria e Mbrojtjes, por sipas tij nuk e ka marrë atë. Ai ka argumentuar se një Komision Hetimor do të kishte mundësi të kërkonte dokumentacionin dhe informacionet e nevojshme për të sqaruar aktivitetin e kompanisë.

Gazment Bardhi: Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti?

Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi. E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve.

Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?!

Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes. Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit.

Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion.

Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet?
Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro?

Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit.

Opozita ka kërkuar që në fokus të hetimit të jenë kontratat e KAYO-s, mënyra e përzgjedhjes së partnerëve privatë, si dhe përdorimi i fondeve publike.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi se po kërkohet ngritja e komisionit hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore.

Ad

Jorida Tabaku: Ju mund të sillni këtu gjoja argumente, por ka qenë Kushtetuta ajo që ka përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor dhe cili është roli juaj në këtë çështje.

Ne po kërkojmë një komision hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore.

Unë vij me eksperiencë nga një komision hetimor. Të njëjtin qëndrim keni pasur edhe atëherë, të njëjtat argumente keni sjellë. Por e vërteta është se ai komision ekspozoi një nga skemat më të mëdha korruptive. Çështja e inceneratorëve rezultoi të ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›