E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS sfidon Berishën: Hap vetëm votat e Ruzhdies

64 parlamentarët e PS-së dalin pas një ore, si pasojë e refuzimit të Berishës

Deputetët socialistë, grupi më i madh parlamentar i opozitës në historinë e Shqipërisë pluraliste, hynë dje në Kuvend pas gjashtë muajsh mungese, duke sfiduar fuqishëm Kryeministrin Sali Berisha, njëkohësisht kreu i mazhorancës. Ata i dhanë fund dilemës së mandateve, garantuan rrogat mujore dhe bindën LMN-në të respektojë vendimet e forumeve. Gramoz Ruçi, numri dy i Partisë Socialiste, duke iu drejtuar Berishës, i ka “lëshuar dorashkën” në transmetim të drejtpërdrejtë, duke i thënë: “Ke deklaruar se edhe PD-së i është ngrënë haku në Fier, i është marrë një mandat, duke përmendur votat e fshatit Ruzhdie. Unë të sfidoj këtu, duke të thënë hap vetëm votat e Ruzhdies këtu në sallën e Parlamentit dhe nëse ato do të dalin të rregullta, atëherë unë Gramoz Ruçi, së bashku me 8 kolegët e tjerë të Qarkut të Fierit, jo vetëm do të lëmë mandatet e deputetit, por do të largohemi nga politika. Ndërsa refuzimin do ta marrim si provë të krimit elektoral të ndodhur më 28 qershor”. Deputetët e PS-së kanë paraqitur dje në sallën e Kuvendit kushtet e qëndrimit të tyre, si dhe kanë paraqitur një projektligj dhe një projektvendim. Por pas një ore, të gjithë 64 parlamentarët e Partisë Socialiste kanë dalë nga Parlamenti, duke shpallur publikisht se ishin provokuar nga mazhoranca, e cila pa lexuar mirë qëndrimin e opozitës, e ka refuzuar atë.

Hyrja

Seanca e djeshme e Kuvendit ishte thirrur në orën 17:00, pas mbledhjes në mesditë të Konferencës së Kryetarëve. Kuvendi i Shqipërisë dukej si në inaugurimin e tij dhe jo gjashtë muaj më vonë. Interesi më i madh mediatik, diplomatik dhe politik ishte fokusuar në seancën e djeshme. Por selia rozë (duket e dirigjuar nga një dorë e kujdesshme) kishte përgatitur gjithçka me detaje. Në fillim vijnë në seancën e Parlamentit disa deputetë socialistë të limituar, në numër të drejtuar nga “veterani” Namik Dokle, si pararojë e një akti politik të kushtëzuar. Kalojnë disa minuta dhe më pas Dokle del nga salla për të pritur kolegët, të cilët vijnë si një turmë e madhe të drejtuar nga Gramoz Ruçi. Gjithçka duket si një festë, edhe pse socialistët kanë kryer një marshim koreografik për të demonstruar forcën e numrave. Nuk kanë munguar përshëndetjet dypalëshe. Deputetja socialiste, Eglantina Gjermeni, puthet si një mikeshë e vjetër me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, ndërsa deputeti Fatmir Toçi, i cili hyri krah për krah me ambasadorin italian, Saba D’Elia, ka përshëndetur si Bregun, ashtu edhe ministrin Ruli. Ndryshe nga ç’e mendonin të gjithë, në Kuvendin e Shqipërisë hyn “rebeli” Ben Blushi, gazetari dhe shkrimtari që është shpallur si oponent i vijës zyrtare të partisë së tij. Me duar në xhepa, deputeti Blushi përshëndet njerëzit e botës së tij, gazetarët, dhe futet në portën e madhe pa e çarë kokën nëse e bëri me të majtën, apo me të djathtën. Ardhja e deputetëve socialistë ka qenë një eveniment që i ka mbushur lozhat e Kuvendit me diplomatët e akredituar në Tiranë. Përveç ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobio, vendi i të cilit ka Presidencën e radhës së BE-së, kanë ardhur ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham, zv/ambasadorja e SHBA-së, Debora Johns, ambasadori i Italisë, Saba D’Elia, por edhe diplomatë të rajonit, si i kudogjenduri Zhelko Peroviç, ambasadori i Malit të Zi, apo dhe Gazmend Pulaj, ambasadori i Republikës së Kosovës.

Ruçi

Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, ka paraqitur kushtet e opozitës në Kuvend, të cilat janë të qarta: mazhoranca të lejojë hetimin, transparencën e plotë dhe të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit, ndryshe opozita do të nisë protestat popullore. “Ne nuk po kërkojmë pushtet, por një të drejtën tonë kushtetuese, ne po kërkojmë një të drejtë që do t’u vlejë të gjitha opozitave në Shqipëri”, ka deklaruar Ruçi. Numri dy i socialistëve shqiptarë ka kërkuar nga mazhoranca që të reflektojë dhe të japë përgjigje zyrtare në kohë sa më shpejtë të mundshme. Ruçi, pasi i ka kërkuar Kryeparlamentares Topalli që të mos ta provokojë opozitën, duke iu drejtuar në mënyrë direkte Kryeministrit Berisha, ka deklaruar: “Topi tani është në dorën tuaj, ne po presim lëvizjet e mazhorancës”. Reagimi i Berishës ka qenë ironik, duke theksuar se ai nuk ka luajtur me top, por ka pasur kalë, ndaj quhet kavalier. Ndërsa nuk ka vonuar replika e Gramoz Ruçit: “Zoti Berisha, kali ka ngordhur me kohë”...

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›