Administrata injoron krizën ekonomike
Administrata shtetërore injoron krizën ekonomike, duke abuzuar me buxhetin e shtetit. Janë një mori institucionesh që kanë shkelur ligjin me fondin e pagave dhe shpërblimeve gjatë vitit 2009, duke i shkaktuar arkës së shtetit një dëm financiar prej rreth 2.4 milionë dollarë. Shifra alarmante është zbuluar nga inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë aktivitetit të vitit të kaluar, kur buxheti i shtetit po jepte shenjat e tkurrjes nga kriza. Kur firmat e ndërtimit ankoheshin se nuk merrnin paratë,ose kur vonoheshin ndihmat ekonomike për familjet e varfra, paralelisht me to, një pjesë e zyrtarëve të lartë të administratës ia lejonin vetes marrjen e shumave të majme në formë shpërblimesh për “merita” të caktuara. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit disponohen prova ligjore që shpërblimet janë dhënë pa kriter dhe justifikim. Shkelje ka pasur edhe në fondin e pagave, në masën 230 mijë dollarë.
Institucionetçdo institucion, në buxhetin e tij, ka një fond “të veçantë” që përdoret për raste emergjente të parashikuara ose për shpërblime në bazë të performancës në punë. Ky fond nuk duhet të jetë më shumë se 5 për qind e buxhetit të institucionit dhe përdoret për raste të veçanta. Këtë hapësirë ligjore e kanë shfrytëzuar drejtuesit e institucioneve shtetërore, duke i miratuar vetes së tyre shpërblime të majme. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se shumat nuk janë të justifikuara, në bazë të ligjit, miratuar nga Ministria e Financave. Tek institucionet qendrore bie në sy Ministria e Jashtme, e cila ka kryer rreth 10 mijë dollarë shpërblime të padrejta, ose projekti i “Shërbimeve Bujqësore”, Njësia e Menaxhimit pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, me rreth 45 mijë dollarë. Sa u takon institucioneve vendore, numri i tyre është tepër i madh, duke nisur nga Bashkia Vlorë, Kukës, apo prefekturat Tiranë e Korçë, me mijëra dollarë dëme.
Buxheti i krizësQeveria e Kryeministrit Sali Berisha e rishikoi buxhetin 2009 tri herë brenda një viti, për shkak të krizës ekonomike, e cila reflektoi negativisht në të ardhurat totale. Po të shikojmë tabelat e buxhetit faktik të vitit 2009, mësojmë se nëse të ardhurat ishin rreth 2.7 miliardë dollarë, shpenzimet korrente (ku futen pagat, shpërblimet, mirëmbajtja etj.), regjistronin nivel më të lartë, afërsisht 2.8 miliardë dollarë.
#