PS sot ankimin në Kolegj, do kërkojë rrëzimin e rezultatit

Partia Socialiste pritet të ankimojë sot në Kolegjin Zgjedhor rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të Tiranës.
Ankimimi kërkon pavlefshmëri të rezultatit të shpallur nga KQZ, e cila nxjerr fitues kandidatin demokrat Lulzim Basha me 81 vota diferencë përballë Edi Ramës.
PS do ankimojë vendimin 710 dhe 711 të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që lidhet me nxjerrjen rezultatit për minibashkinë 5 dhe për nxjerrjen e rezultatit për Bashkinë e Tiranës, kërkesë që u rrëzua pasi nuk mori kuorumin e nevojshëm me pesë vota.
Në këtë kërkesë do të synohet rrëzimi i vendimit të KQZ-së dhe shpallja nul e të gjitha veprimeve të kryera më pas. Në këtë rast socialistët do të përfshijnë të gjitha veprimet e marra nga KQZ për ndryshimin e rezultatit si vendimi për rivlerësimin e votave, vendimi për ndryshimin e tabelave të rezultateve, mospërputhjet në tabelat e votave, faktin që, sipas KQZ-së, në kuti ndodhen më shumë vota se njerëz që kanë votuar etj.
Burime të PS-së bënë me dije se ankimimi në Kolegjin zgjedhor do të shkojë sot, pra një ditë para afatit 5-ditor, nga rrëzimi i kësaj kërkese nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Por socialistët i kanë sytë nga Kolegji zgjedhor edhe për zbardhjen e vendimit të marrë të premten ku u rrëzua ankimimi i PS-së për të vlerësuar të pavlefshëm vendimin e KQZ-së për numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.
E hëna është afati i fundit që kolegji të zbardhë vendimin, pasi sipas pikës 6 të nenit 158 të kodit zgjedhor Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.
Por sipas burimeve nga PS-ja trupa gjyqësore duhet të shprehet edhe nëse fletët e gjetura në kutinë e gabuara janë të pavlefshme apo jo pasi me vendimin e së premtes, Kolegji i ka dhënë të drejtë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në lidhje me vendimin e vlerësimit të votave të gabuara, por në fakt nuk është shprehur direkt nëse këto fletë mund të quhen të vlefshme apo të pavlefshme.
Duke marrë parasysh këtë betejë të gjatë ligjore, duket se PS-ja është e vendosur të detyrojë Kolegjin zgjedhor të shprehet në mënyrë eksplicite se kush është fituesi i zgjedhjeve në Tiranë.