PS, thirrje qeverisë të mbështesë financiarisht familjet e përmbytura

Tiranë, 9 nëntor NOA - Në emër të Partisë Socialiste, deputeti i saj Ilir Beqja shprehu shqetësimin për situatën e rënduar që është krijuar në disa zona të vendit si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.
Fatkeqësisht, në një kohë kur situata vazhdon të rëndohet me çdo orë që kalon, nuk kemi parë ende asnjë lloj reagimi nga qeveria e Sali Berishës, e aq më pak nuk kemi dëgjuar të merret ndonjë masë për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet, - tha Beqja në daljen e pak minutave më parë për mediat.
Partia Socialiste i bën thirrje qeverisë Berisha që në këtë moment të vështirë për këto qindra familje në nevojë, të mbështesë financiarisht çdo familje e biznes të dëmtuar ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet fqinje më Shqipërinë në situata të ngjashme, - tha z.Beqja.
Ai evidentoi se janë me qindra hektarë tokë bujqësore e kullota në Lezhë, Shkodër, Kurbin, Peqin të mbuluara nga uji, duke shkatërruar krejtësisht punën e mundin e fermerëve të këtyre zonave.
Kurse veçoi se janë me dhjetëra biznese që kanë pësuar dëme të mëdha dhe qindra banorë që sot sguxojnë të kalojnë natën në shtëpitë e tyre nga frika e përmbytjeve.
Në vijim Beqja ka vënë në dukje edhe faktin se janë me dhjetëra shtëpitë që janë përmbytur duke shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale për banorët e këtyre zonave. Në këtë pikë, Beqja konsideroi se faji për këtë gjendje nuk është i motit, por i kësaj qeverie të paaftë e cila ndër vite ka neglizhuar të marrë masa për të përballuar situata të tilla.
Për PS, është e pafalshme që në një kohë kur qeveria flet për investime të mëdha e për zhvillimin e bujqësisë, për të katërtin vit rresht ajo dështon të marrë qoftë edhe masat më minimale për të parandaluar këtë gjendje që sot nuk mund të quhet më e paparashikueshme.
Këtu Beqja ironizoi kur tha se përmbytjet e ditëve të fundit nuk vijnë as nga ndryshimet klimatike e as nga ngrohja globale, por janë thjesht e vetëm rezultat i mungesës së investimeve në hidrovore e kanalizime
Për sa kohë kjo qeveri e papërgjegjshme nuk do ti kushtojë këtyre investimeve vëmendjen e duhur, banorët e Shkodrës e Lezhës janë të dënuar të përjetojnë çdo vit të njëjtin kalvar, - paralajmëroi z.Beqja.
e.l/NOA