Pa prova nuk ka status të dëshmitares për Natali Velijajn

Prokuroria ia ka bërë me dije shtetases gjermane Natali Velijaj, se pa treguar se çfarë provash me të cilat implikon zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në krim, nuk do t’i bëhet kurrfarë oferte për ndonjë privilegj.
Prokurorja e Qarkut e Prishtinës, Drita Hajdari, ka thënë për “Kohën Ditore” se Prokuroria është shprehur e gatshme t’i ofrojë siguri maksimale të dyshuarës por nuk lejon që hetimet t’i drejtojë kurrkush tjetër, pos Prokurorisë.
“Prokuroria nuk mund të ushtrojë kërkesë për një status të tillë derisa ajo nuk njofton Prokurorinë se çfarë provash ka” ka thënë Hajdari.
Natali Velijaj, sipas prokurores Hajdari, nuk mund të shpallet dëshmitare bashkëpunuese e pastaj të tregojë se çfarë provash ka./Indeksonline/