E Shtunë, 31 Tetor 2026

KFOR-i vendos pikë kontrolli mes Leposaviqit e Rashkës

(E plotësuar) Ushtarët amerikanë të KFOR-it kanë vendosur një pikë kontrolli në rrugën ndërmjet Leposaviqit e Rashkës, para hyrjes në Jarinjë, njofton agjencia e lajmeve FoNet.

Që nga mëngjesi aty janë grumbulluar serbë në protestë p[r të kundërshtuar zbatimin e paralajmëruar të Marrëveshjes mbi menaxhimin e integruar të pikëkalimeve kufitare ndërmjet Serbisë e Kosovës. Njoftohet se KFOR-i ka vendosur aty shumë automjete të blinduara, ka ngritur pikën e kontrollit dhe po bën kontrollin e komunikacionit.

Automjetet po lejohen nga të dy anët në mënyrë alternative, kurse kontrollin në pikëkalimin kufitar Jarinjë po e bën personeli i EULEX-it.

Fare afër janë edhe pesë,gjashtë automjete të MUP-it të Serbisë.

Në hapësirën përreth Jarinjës, në anën e Kosovës, kohë pas kohe po fluturojnë edhe helikopterët e KFOR-it.

Mediat raportojnë se protestuesit po kërkojnë garanci me shkrim se nuk do të vendoset kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se në pikëkalimet e integruara nuk do të bëhet pagesa e doganës.

Në pjesën veriore të Mitrovicës janë aktivizuar alarmet për kushtrim, kurse në shkollat e mesme e fillore orët janë shkurtuar në një gjysmë ore për shkak të të protestës në Jarinjë.

....

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dënuar aktin e dhuëns dhe dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar në Jarinjë.

“Aktet e tilla janë tendenca për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit, dhe si të tilla janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të gjendjes në veri të vendit. Ky veprim i strukturave ilegale është edhe kundër Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit , ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila fuqizon sundimin e rendit dhe të ligjit në vendkalimet kufitare ndërmjet dy shteteve, si dhe siguron qarkullim të lirë të qytetarëve dhe të mallrave në përputhje me normat ndërkombëtare. Kryetari edhe njëherë thekson se strukturat ilegale, mbeturina të Millosheviqit, po e mbajnë peng stabilitetin, paqen dhe inkuadrimin e qytetarëve serbë të veriut në jetën institucionale të shtetit të Republikës së Kosovës. Kreu i legjislativit të vendit, Krasniqi, bën thirrje që këto struktura të shuhen sa më parë për të ndihmuar kështu në stabilizimin e jetës në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e kryeparlamentarit Krasniqi.

....

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e dënon ashpër dhunën dhe dëmtimin e objekteve në vendkalimin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në Jarinjë, nga një grup i qytetarëve të dhunshëm serbë.

Dëmtimi i objekteve kufitare dhe dhuna e ushtruar nga grupe të caktuara, që e pengojnë vendosjen e rendit dhe ligjit, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon normalizimit të situatës në komunat në veri të Kosovës.

Presidentja Jahjaga thekson se kjo dhunë çon drejt përshkallëzimit të situatës dhe dëmton përpjekjet e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të garantuar një jetë normale për qytetarët që jetojnë atje.

.....

Një grup i serbëve të pakënaqur me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve është përpjekur të demoloi vendkalimin kufitar në Jarinje.

Kjo mësymje e serbëve është bërë nga territori i Serbisë, mirëpo nuk ia kanë arritur qëllimit.

Ata janë ndaluar nga njësitet e xhandarmërisë së fqinjit veriore. Ndërkaq, në këtë zonë në territorin e Kosovës situata raportohet të jetë e qetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për Indeksonline se për momentin në Jarinje situata është e qetë.

Në mesin e qytetarëve, të cilët u mblodhën sot në mëngjes për të protestuar në Jarinje, shumica janë anëtarë të katër komunave në veri të Kosovës.

Ata u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit për të shprehur siç thonë mospajtim për marrëveshjen që ka të bëjë me Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Protestuesit thonë se nuk duan të vendosin kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Edhe pse ishte njoftuar se rruga do të ishte e bllokuar, ajo në këto orë të mëngjesit është e kalueshme në të dy drejtimet./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›