Pacientja 25-vjeçare me djegie të rënda dërgohet për trajtim të specializuar në Turqi

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Pacientja 25-vjeçare, A. D., e cila dy ditë më parë pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit, si pasojë e zjarrit të rënë në hotelin ku po qëndronte për pushime në Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Turqi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se pas përfundimit të të gjitha procedurave mjekësore dhe administrative nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku qëndroi nën kujdes intensiv të ekipeve të terapisë intensive (ICU), në bashkëpunim dhe koordinim me Ambasadën e Turqisë dhe autoritetet shëndetësore turke, pacientja do të vijojë trajtimin e specializuar në një spital në Turqi.
Shpenzimet për trajtimin e pacientes në Turqi do të mbulohen nga shteti shqiptar, përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
MSHMS mbetet e angazhuar për të garantuar vijimësinë e kujdesit mjekësor dhe aksesin në trajtimin e specializuar për rastet që kërkojnë ndërhyrje dhe ekspertizë të avancuar jashtë vendit.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në Vlorë, ku zjarri përfshiu ambientet e brendshme të një hoteli në pronësi të shtetases M. A.
Si pasojë e zjarrit u lënduan 6 pushues, 5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni.
/e.i/j.p/r.e/