Pacolli: Nuk më kujtohet kur votova për qeverinë
Presidenti i sapo zgjedhur i Kosovës Bengjet Pacolli nuk është i sigurtë nëse ka votuar për zgjedhjen e qeverisë në seancën e Kuvendit më 22 shkurt. Ai madje thotë se nuk i kujtohet momenti i votimit të qeverisë, për shkak të lodhjes që kishte, pas tre raundesh dërrmuese për zgjedhjen e tij.
Megjithatë, Presidenti Pacolli, në një intervistë për mediat kosovare ka theksuar se është i hapur dhe do ta mirëpriste çdo verdiktë të Gjykatës Kushtetuese.
“Unë jam i gatshëm që t`i përgjigjem çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë nuk kisha dashur më shumë të komentoj. Nuk dua të influencojë një vendim eventual të Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk di ta përshkruaj atë moment sepse kam qenë tepër i lodhur. Në fakt unë kam mundur të ngre të dy duart edhe kokën, por realisht nuk e di sepse kam qenë tepër i lodhur”, ka thënë Presidenti Pacolli.
Për të gjitha “gabimet” që Presidenti mund t`i ketë bërë menjëherë pas betimit të tij në foltoren e Parlamentit, fajëson Protokollin, i cili sipas tij, atë ditë nuk ishte fare funksional dhe e la atë të kthehej e të ulej sërish në vendin e deputetit.
“Unë nuk di sinqerisht se si ta shpjegoj këtë sepse nuk jam kompetent. T`ia lëmë Gjykatës Kushtetuese të vendosë për këtë dhe të konstatojë se a është bërë shkelje apo jo. Por, një gjë e di se në momentin kur jam votuar nga pjesa më e madhe të deputetëve prezent në Kuvendin e Kosovës, unë iu kam drejtuar Kryesisë së Kuvendit dhe unë nuk kam marrë asnjë udhëzim elementar: as ku të ulem, asse ku duhet të shkojë. Dhe kam shkuar e jam ulur në vendin e deputetit dhe asgjë tjetër”, ka treguar Pacolli.