Pacolli: Paragjykimi për deklarimin e pronës është i kundërligjshëm

(E plotësuar) Zëvendës kryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli ka sqaruar se pse në deklarimin e pasurisë të paraqitur në Agjencionin kundër Korrupsionit ka deklaruar si pronë të vetën edhe hotelin “Grand”.
Ai ka thënë se ka deklaruar vetëm 60 për qind të aksioneve, dhe se s’ka si të mos deklarojë diçka qe e ka blerë vetë.
“E lexova një lajm në portalin autoritativ Indeksonline. Ajo që dua të them është se përgjegjësia që kam, më bën që të sakrifikoj shumë gjëra që s`kam pasur nevojë ti sakrifikoj. Është e vërtetë se unë kam deklaruar 60 për qind të hotelit grand vetëm për një fakt. Para se të hyja në politikë, kompania ime ka blerë në mënyrë të rregullt dhe nëpërmjet llogarive bankare të bankave ndërkombëtare ka paguar 5 milion e 100 mijë euro. Këto mjete nëpërmjet këtyre rrugëve bankare janë derdhur në llogarinë e AKM së atëhershme(AKP-së së tashme). Këto mjete nuk vijnë nga fitimet e kompanisë time nga Kosova, por vijnë si rezultat i punës shumë vjeçare dhe të mundimshme që kam bërë si çdo mërgimtar tjetër jashtë Kosovës”, është shprehur Pacolli në facebook.
Ai ka thotë se janë ndërmarrë të gjitha hapat që kjo pronësi të legjitimohet dhe me kohë të kryhen të gjitha obligimet e marra me kontratën, sa i përket përmbushjes së obligimeve, (që në Kosovë quhet SPIN OFF).
“Këto veprime janë marrë me kohë dhe po të ndodhte ashtu siç korrektësia dhe e drejta e do, sot kryeqyteti do të kishte edhe një objekt që do të shkëlqente, shoqërisë do ti sillte mirësi si në rrafshin fiscal ashtu edhe në garantimin e mbi 400 vendeve të punës. Kjo do ti shtohej edhe 2500 vendeve tjera të punës që kompanitë e mija sot garantojnë në Kosovë”.
Pacolli mendon se çështja e hotelit është politizimi i thellë. Sipas tij,
për shkak të politizimit edhe të disa organeve gjyqësore, kjo çështje gjendet ende pazgjidhur nëpër sirtaret e gjyqtarëve.
“Fillimisht, Gjykata komunale e pati trajtuar këtë lëndë dhe vendimi i parë i kësaj gjykate ishte në favor të kompanisë time dhe masa siguruese e lëshuar në favorin e kompanisë time, që është ende në fuqi dëshmojnë fare mirë se kjo pronë nuk mund të tjetërsohet dhe se vendimi i prerë nuk është marrë”
Njeriu më i pasur në Kosovë, thotë se kompania e tij është në pritje të vendimit nga kjo Gjykatë, pasi që ndaj vendimit të parë, bashkëpronari ishte ankuar dhe një gjykatës i Gjykatës së Apelit e kishte kthyer në rishqyrtim për shkaqe të pakuptueshme dhe të pabaza, dhe se ky rishqyrtim ende nuk është proceduar.
“Andaj dikujt që lëshon deklarata denigruese u përgjigjem në mënyrë civilizuese që deklarimet duhet ti bazojnë në fakte. Në emër të demokracisë, dhe legjitimitetit të pronës, firma ime s`do të ndalet asnjëherë deri tek vendimi i formës së prerë në instancën më të lartë Gjygjësore këtu në Kosovë(në Gjykatën Kushtetuese), e jashtë Kosovës deri tek vendimi i Gjykatës së Strasburgut gjegjësisht i marrëveshjeve bilaterale të nënshkruar me shtetin zviceran”.
Pacolli thotë se paragjykimi i dikujt që nuk është dashur ta deklaron pronën e kompanisë se tij është i gabuar, tendencioz dhe i kundërligjshëm. “Për këtë pronë janë paguar mjetet dhe ato mjete që sot janë në arkën e AKP-së konsiderohen si pronë e kompanisë time pasi që për to nuk ekziston ndonjë vendim tjetër i formës së prerë. Pra është obligim imi institucional që këtë pronë ta deklaroj dhe unë e kam bërë këtë. Po të kisha vepruar siq dikush deklarohet unë nuk do të respektoja ligjet e AKK, të cilat fare mirë kushtëzojnë qdo bartës institucional që të deklarohet për kapitalin dhe pronën e tij”.
Pacolli nuk ka hezituar tu përgjigjet as, siq thotë ai, disa komentuesve, në disa portale, lidhur për pasurin e tijë. “Për këta lexues kam një përgjigje: Pasuria ime nuk është fituar në Kosovës por është fituar jashtë Kosovës dhe kjo dihet. Firma ime jashtë Kosovës, sot I subvencionon pothuajse të gjitha subjektet e veta në Kosovë, pasi që këto të fundit për shkak të rrethanave, fuqisë së ulët blerëse në Kosovë, për shkak të ekonomisë joformale, nuk janë profit prurëse”.
Ai thotë se MABETEX, pronësitë e veta nëpër Kosovë, mbi 90 për qind i ka përvetuësuar nga tregu i lirë dhe përveç dy rasteve(Farmed-aty ku sot është EULEX-I dhe ndërtesa e Ramiz Sadikut-ku gjendet drejtoria e MABETEX në Kosovë), nuk ka privatizuar nga AKP./Indeksonline/
......................
Qe nga muaji maj i vitit të kaluar hoteli “Grand” ka kaluar nën menaxhimin e Agjencisë kosovare të privatizimit, ngase blerësi nuk i kishte përmbushur detyrimet ndaj AKP-së. Por, Behxhet Pacolli vazhdon ta konsiderojë si pronë të vetën hotelin më më nam dikur në Kosovë.
Në raportin e deklarimit të pasurisë që Pacolli e ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit, zëvendës kryeministri, hotelin “Grand” e ka deklaruar pronë të tijen. Ai në këtë hotel, vlerën aksioneve e ka vlerësuar me 3.6 milion euro, shkruan Kosova sot.
Yll Hoxha nga lëvizja "Vetëvendosje" gjestin e Pacollit e ka parë si mungesë respekti institucional.
"Është skandaloze që një zyrtar kaq i lartë të sillet me shpërfilljeve ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme dhe institucionve të shtetit. Kjo flet për frymën e kundërligjshme të instaluar në Qeverinë e Kosovës nga përfaqësuesit më të lartë të saj", ka deklaruar Yll Hoxha nga lëvizja "Vetëvendosje".
Ndryshe, Agjencia kosovare e Privativit është duke pritura një venim të Gjykatës Supreme, që më pas ta qet në shitje hotelin “Grand”. /Indeksonline/