Pagat e gjyqtarëve, Sadushi: Nuk është përplasje me qeverinë, por çështje kushtetuese. Ajo nuk negociohet, por zbatohet

“Pavarësia e gjyqësorit nuk negociohet!” Ky ka qenë mesazhi i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në Mbledhjen e Përgjithshme të gjyqtarëve, e thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme pas bllokimit të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore.
Sadushi e ka cilësuar situatën jo thjesht si një problem financiar, por si një çështje që prek drejtpërdrejt funksionimin e gjykatave dhe raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve.
“Për herë të parë, pas një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese që lidhet drejtpërdrejt me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem i administrimit financiar; është një pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave dhe një çështje që prek drejtpërdrejt rendin kushtetues.
Ajo që kemi përpara nuk është thjesht një mosmarrëveshje financiare. Është një çështje që prek raportet kushtetuese ndërmjet pushteteve, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kushtet në të cilat gjyqësori ushtron funksionin e tij”, tha ai.
Sadushi ka theksuar se gjyqtarët nuk po kërkojnë privilegje, por zbatimin e Kushtetutës, ligjit dhe vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, nuk mund të ketë debat mbi detyrimin për të zbatuar një vendim përfundimtar kushtetues, edhe në rast se zbatimi i tij krijon vështirësi institucionale apo financiare.
“Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje dhe as për t’i kërkuar kujtdo një nder. Gjyqtarët e Republikës nuk kanë vendosur as masën e pagës së tyre, as rritjen e saj dhe as formulën, mbi të cilën ajo përllogaritet. Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Pagën dhe garancitë e saj i ka përcaktuar ligji. Për kushtetutshmërinë e këtij rregullimi është shprehur Gjykata Kushtetuese. Kur kërkojmë respektimin e këtyre garancive, nuk kërkojmë një privilegj apo një përfitim të ri. Kërkojmë që shteti të përmbushë detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Sadushi ngre pikëpyetjen se cila është paga që duhet t’u njihet gjyqtarëve nga 1 gushti 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe thekson se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të sjellë si pasojë pezullimin e një garancie kushtetuese.
“Këtu lind një pyetje e thjeshtë, por e pashmangshme: çfarë norme duhet të zbatojë sot administrata e shtetit? A mund t’i kërkohet një institucioni të Republikës që, pas datës 31 korrik, të vazhdojë të zbatojë pikërisht formulën, që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar si antikushtetuese? Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative. Mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund të ketë si pasojë që gjyqtari të mbetet pa një pagë të përcaktuar. Deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, garancia kushtetuese e pagës mbetet plotësisht e zbatueshme dhe neni 138 i Kushtetutës vijon të prodhojë të gjitha efektet e tij”, tha Sadushi.
Sadushi ka bërë të qartë se çështja nuk duhet të shihet si një përplasje mes gjyqësorit dhe ekzekutivit. Sipas tij, bëhet fjalë për një provë të respektimit të Kushtetutës dhe të ndarjes së pushteteve.
“Në një shtet të së drejtës, paga e një funksionari nuk është akt bujarie i atij, që administron fondet publike. Buxheti i shtetit është instrumenti financiar i Republikës dhe duhet t’i shërbejë funksionimit të të gjitha pushteteve të saj. Atë që ligji e njeh si detyrim, buxheti duhet ta bëjë të realizueshme.
E drejta e gjyqtarit për pagë nuk lind nga buxheti. Ajo buron nga Kushtetuta dhe ligji. Mungesa e planifikimit mund të kërkojë rishpërndarje fondesh, shtesë financimi, apo rishikim buxheti, por nuk mund ta shndërrojë një detyrim kushtetues në detyrim fakultativ. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës”, tha Sadushi.
Sadushi ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të administratës gjyqësore, ndërsa për gjyqtarët kërkon ekzekutimin e detyrimeve financiare të prapambetura dhe të diferencave që lindin deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Ai ka argumentuar se paga e gjyqtarit është pjesë e statusit kushtetues dhe një garanci e pavarësisë së tij.
“Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin, apo për të shprehur qëndrimin ndaj vendimmarrjes së tij”, tha ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë ka apeluar për ruajtjen e unitetit dhe dinjitetit të gjyqësorit, duke theksuar se reagimi i gjyqtarëve duhet të mbetet brenda rolit të tyre kushtetues dhe përmes mjeteve juridike.
“Gjyqësori nuk u përgjigjet qëndrimeve politike me mjete politike dhe as del jashtë funksionit të tij për ta mbrojtur atë. Ai vepron me autoritetin e Kushtetutës dhe me forcën e ligjit”, tha ai.
Në përfundim, Sadushi tha se “gjyqësori nuk kërkon përplasje, por respektimin e rendit kushtetues”.
“Mos e reduktojmë, pra, këtë çështje në një ‘përplasje për pagat’. Gjyqësori nuk po negocion me Qeverinë çmimin e pavarësisë së vet dhe as po kërkon njohjen e një të drejte të pakonfirmuar. Po kërkon zbatimin e rendit juridik ekzistues. Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk negociohet. Ai zbatohet”, tha ai.
/rtsh.al/