Punëtori humbi jetën nga kontakti me energjinë elektrike në Tropojë, procedohen penalisht drejtori dhe drejtuesi teknik i bashkisë

Dy drejtues të Bashkisë Tropojë janë proceduar penalisht pas aksidentit të rëndë të ndodhur në fshatin Bujan, ku një punonjës i bashkisë humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën gjatë vendosjes së një shtylle ndriçimi.
Nën procedim janë N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve.
Dy zyrtarët akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Procedimi penal është regjistruar nga Prokuroria e Kukësit pas ngjarjes së 8 shtatorit, e ndodhur në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan.
Katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po kryenin punime për vendosjen e një shtylle ndriçimi rrugor, kur gjatë procesit shtylla ka prekur përcjellësit elektrikë.
Sipas hetimeve paraprake, punonjësit po mbanin shtyllën me qëllim vendosjen e saj në bazament. Gjatë procesit ata kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka rënë në kontakt me telat elektrikë, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
Si pasojë, humbi jetën punonjësi M. S., ndërsa A. D., I. D. dhe A. A. mbetën të plagosur.
Tre punonjësit e plagosur u transportuan për ndihmë mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar përgjegjësitë lidhur me kushtet e sigurisë dhe mënyrën e kryerjes së punimeve.
/rtsh.al/