E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e magjistratëve, Gjykata e Lartë dhe KLP kundër pr/ligjit të propozuar në Kuvend: Nuk reflekton standardin e Kushtetueses

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë kundërshtuar formulën e propozuar nga mazhoranca për ndryshimin e pagave të magjistratëve, duke argumentuar se rritja e parashikuar nuk përmbush standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ku po zhvillohen dëgjesat lidhur me projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku në fokus është çështja e pagave të magjistratëve, zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën thjesht një orientim për Kuvendin, por një detyrim për ligjvënësin.

“Gjykata e Lartë e vlerëson të nevojshme ndërhyrjen ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja nuk është nëse Kuvendi duhet të ndërhyjë, por nëse zgjidhja e propozuar realizon standardet detyruese që lindin nga vendimi i Kushtetueses, i cili nuk përbën orientim, por detyrim për ligjvënësin”, tha Panda.

Sipas tij, formula e propozuar, që e çon pagën referuese nga 0,36 në 0,38 të pagës së Presidentit të Republikës, nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

“Problemi kryesor është paga referuese prej 0,38 të pagës së Presidentit. Gjykata e Lartë nuk e kundërshton në parim mundësinë që ligjvënësi të zgjedhë një referencë të re, por problemi qëndron te rezultati konkret i formulës së propozuar”, u shpreh ai.
Panda theksoi se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar një referencë dinamike, të lidhur me një pagë që rritet në mënyrë periodike dhe që ruan nivelin e mbrojtjes financiare të magjistratit.

Për këtë arsye, Gjykata e Lartë propozon që ligji të mos fiksojë koeficientin 0,38, por të përcaktojë një mekanizëm që garanton zbatimin e standardit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ruajtjen reale të nivelit të pagës.

Gjykata e Lartë kërkoi gjithashtu që të bëhet një ndarje e qartë mes rregullimit të pagave për të ardhmen dhe pagesave të prapambetura, si dhe të shmangen efektet automatike të ndryshimeve mbi funksionarët e tjerë publikë.

“Kuvendi ka hapësirë për të zgjedhur formulën, por jo për të mos zbatuar standardin kushtetues. Ligji i ri duhet ta zgjidhë çështjen për të ardhmen, por pa fshirë pasojën e vendimit të Kushtetueses. Qëllimi nuk është miratimi i një ligji, por miratimi i një ligji që zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Panda.

Edhe kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani kundërshtoi formulën e propozuar nga Partia Socialiste, duke e cilësuar rritjen e parashikuar minimale në raport me përllogaritjet e bëra nga vetë KLP-ja.

Bogdani tha se Këshilli ka vlerësuar nevojën për një sistem të qëndrueshëm të pagave të magjistratëve dhe jo vetëm për një ndërhyrje që do të përmbushte formalisht detyrimin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

“Në referim të atij informacioni që kemi marrë për një rritje 0,02%, pra një rritje që është minimale krahasuar me atë që ka përllogaritur vetë Këshilli, do të thoja se ka një diferencë shumë të madhe. Nuk reflekton standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe standardin që vetë referimi i pagave ka bërë për sistemin e administratës shtetërore”, tha Bogdani.

Sipas saj, drafti i mazhorancës parashikon një rritje prej rreth 8 500 lekësh të pagës referuese, ndërsa përllogaritjet e KLP-së e vendosin diferencën në rreth 80 mijë lekë.

Bogdani theksoi gjithashtu se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për zbatim, duke kërkuar që ndërhyrja ligjore të reflektojë standardin e përcaktuar prej saj.

Edhe kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha kundërshtoi në Komisionin e Ligjeve projektligjin e mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar atë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Hoxha tha se formula e re e pagave është në fuqi prej 31 korrikut 2026 dhe se gjyqtarët nuk pranojnë të negociojnë për një nivel më të ulët se ai i përcaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Po pritet një ligj i pakonsultuar, është në kundërshtim me vendimin e Kushtetueses. Miratimi i tij do të sjellë një përplasje tjetër mes dy pushteteve”, deklaroi Hoxha.

Ai kërkoi që projektligji i ri t’i nënshtrohet një konsultimi më të gjerë dhe të respektojë formulën e përcaktuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

1 nga 2

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›