E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesa sipas performancës së çdo mjeku

15/10/2009  Lista e treguesve mbi bazën e të cilave do të matet punonjësve në qendrat shëndetësore

Stafet mjekësore që shërbejnë në poliklinika apo qendra të tjera të kujdesit parësor do të paguhen në bazë të performancës që do të arrijnë në punë. Kështu, qendrat dhe punonjësit shëndetësorë që do të tregojnë paraqitje të lartë shërbimi do të kenë edhe paga më të larta. Vlerësimi i tyre do të bëhet nëpërmjet indikatorëve të performancës, që kanë të bëjnë me numrin e vizitave që bën çdo mjek familje apo specialist si dhe me shtimin e numrit të siguruarve dhe 10 indikatorëve të tjerë mbi cilësinë e shërbimit.

Kjo e fundit do të sanksionohet në kontratat e reja që Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor do të lidhë me qendrat shëndetësore në të gjitha rrethet e vendit. Lajmi është konfirmuar gjatë ditës së djeshme në takimin e zhvilluar mbi përmbylljen e projektit të ndërmarrë me USAID-in: “Përmirësimi i kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri”. Në këtë aktivitetet merrnin pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tirane John Uidhers, ministri i Shëndetësisë, përfaqësues të lartë të USAID-it.

Shërbimet

Reforma e ndërmarrë në shërbimin parësor ka treguar se është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve që janë rikthyer te mjeku i familjes për vizitat mjekësore. “Numri i vizitave në këto qendra është rritur ndjeshëm dhe sot në qendra shëndetësor janë afruar 270 mijë persona më shumë që kërkojnë shërbimin e mjekut të familjes krahasuar me fillimin e vitit 2007, vit kur nisi reforma në shërbimin”, - ka pohuar drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana. Kështu, qendra shëndetësore, referuar kuadrit të ri ligjor, ka një autonomi më të madhe financiare dhe administrative në drejtim të përdorimit të fondeve dhe të ardhurave dytësore. Sipas Hanës, gjatë kësaj periudhe janë dyfishuar pagat dhe çdo punonjës i qendrave shëndetësore përfiton 14 paga në vit (nga të cilat 2 paga shpërblim). Gjithashtu vetë instituti ka realizuar një kontroll më të mirë të fondeve, ku për 2009-n pohohet se është rritur përthithja e fondeve nga qendrat shëndetësore për indikatorin e performancës (numri i vizitave) në masën 200 për qind krahasuar me fillimin e reformës. Ndërsa bonusi (pagesa për cilësinë e shërbimit) gjatë këtij viti është realizuar 48 për qind më shumë se një vit më parë. Lidhur me këtë ecuri kreu i dikasterit të Shëndetësisë ka pohuar se projekti “do të na mundësojë të kemi përfundimisht një model të konsoliduar të kujdesit parësor, i cili i projektuar dhe duke funksionuar na ndihmon shumë me elementet e tij për të shtrirë mjaft nga këto elemente të karakterit të planifikimit dhe organizimit, po dhe probleme shumë të rëndësishme të monitorimit edhe në sistemin spitalor, që është një sfidë shumë e madhe".

Paketa e shërbimeve

Kjo paketë e detajuar shërbimesh për qendrat shëndetësore do të ndihmojë shumë për kostifikimin e shërbimeve; do të ndihmojë qendrat shëndetësore në aktivitetin e përditshëm; i shërben ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për monitorimin e tyre dhe hartimin e politikave. Shërbimet që përfshihen në paketë janë 7 shërbime bazë mjaft të detajuara, si “kujdesi në rastet e urgjencës, kujdesi shëndetësor për fëmijët, për të rriturit, për gratë dhe shëndeti riprodhues, për të moshuarit, për shëndetin mendor dhe promocioni e edukimi shëndetësor”.

Ministri i Punës pret përfaqësuesen e OKB-së në Shqipëri

Bashkëpunim për zbatimin e strategjisë së përfshirjes sociale

Mniistria e Punës do të vijojë bashkëpunimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë, si PNUD-i apo OKB-ja, për zbatimin e strategjisë së përfshirjes sociale. Për të vijuar më tej zbatimin e programeve në këtë fushë, ministri i punës Spiro Ksera ka pritur në një takim përfaqësuesen e PNUD-it dhe koordinatoren e organizatave të OKB-së në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett. Shqipëria është zgjedhur një ndër tetë vendet në botë, në të cilat Kombet e Bashkuara po zbatojnë programin “Një OKB”, program i cili synon koordinimin e projekteve dhe programeve të organizatave dhe agjencive të OKB-së. Ministri Ksera vlerësoi kontributin e këtyre përfaqësive që veprojnë në vendin tonë, në mbështetje të strukturave shtetërore për hartimin dhe zbatimin e politikave efecientë në fusha të tilla si: barazia gjinore, dhuna në familje, punësimi i të rinjve, riintegrimi i emigrantëve të kthyer, mbështetja e komunitetit rom, fëmijëve etj. “Ne e vlerësojmë shumë të rëndësishëm projektin e përbashkët për mbështetjen e komunitetit rom, pasi ky projekt është në përputhje me objektivat e qeverisë për mbështetjen e kësaj kategorie dhe një detyrim ynë në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për në BE”, - ka pohuar ministri.

Bashkëbiseduesit vendosën që në ditët në vijim stafet teknike të fillojnë punën për konkretizimin e bashkëpunimit për hartimin e dokumentit të përfshirjes sociale.

Indikatorët për shpërblimin e punonjësve shëndetësorë

Dy indikatorë për performancën:

1. Numri i vizitave të bëra nga Qendrat Shëndetësore.

2. Numri i të siguruarve.

10 indikatorë për cilësinë e shërbimit:

1. Planifikimi i vizitave të të sëmurëve kronikë dhe ata të regjistruar.

2. Ruajtja e % së imunizimit në standardin kombëtar/rajonal.

3. Situata e % se sëmundshmërisë kronike të të sëmurëve të mbuluar.

4. Rritja e satisfaksionit të pacientëve (ankesat, 2 pyetësorë).

5. Persona të vizituar për herë të parë (PVHP) në shifrat 60 për qind e popullatës.

6. Vdekshmëria foshnjore dhe amtare nën mesataren e përcaktuar.

7. Mesatarja e vlerës së recetës për diagnozë në nivel rajoni.

8. Ulja e vlerës mesatare të recetës për banorë të regjistruar

(norma vjetore e uljes 5%).

9. Ulja e numrit të referimeve për vizitë në kujdesin e specializuar (norma vjetore e uljes 5%).

10. Pjesëmarrja e stafit në trajnimin e vazhdueshëm.

Shërbimi i urgjencës

Paketa e re e shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor përfshin edhe listën e barnave të urgjencës që duhet të ketë qendra shëndetësore. Kjo listë standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë qendra për trajtimin e urgjencave, duke filluar nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik etj. Shërbimet që përfshihen në paketë janë 7 shërbime bazë mjaft të detajuara, si “kujdesi në rastet e urgjencës, kujdesi shëndetësor për fëmijët, për të rriturit, për gratë dhe shëndeti riprodhues, për të moshuarit, për shëndetin mendor dhe promocioni e edukimi shëndetësor”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›