E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pesha e ushqimit në buxhetin e familjeve nën 40%

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku po diskutohet paketa fiskale dhe projektbuxheti 2026 u ndal edhe tek varfëria dhe të ardhurat.

Kreu i qeverisë theksoi se “pikërisht këtu tek raporti me varfërinë qëndron edhe arsyeja pse ne jemi sot në mandatin e katërt. Dua ta nis duke cituar EUROSTAT, Institutin Europian të Statistikave. ‘Shqipëria ka një nivel më të ulët rreziku për varfëri sesa Serbia, Bullgaria dhe Turqia. Shqipëria është më pranë mesatares së BE-së në këtë aspekt’. Këtë e thotë EURSTAT, nuk e them unë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “po vazhdoj me një tjetër burim serioz që përsëri nuk është burim qeveritar lidhur me ndryshimin e peshës së ushqimit në buxhetin e familjeve shqiptare, i cili ishte afro 50% si peshë në buxhetin familjar, kur ne morëm detyrën dhe sot është nën 40%”.

Ndërkohë, vijoi Rama, sipas Bankës së Shqipërisë jo sipas qeverisë së Shqipërisë, të ardhurat e disponueshme reale të familjeve shqiptare janë rritur mesatarisht 4-5% në vit në periudhën 2021-2024.

“Po e mbyll me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili jo më larg se pak ditë më parë tha ‘Shqipëria është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë me politika fiskale dhe monetare të kujdesshme’. Këto janë burime të padyshimta për pavarësinë e plotë të tyre nga qeveria e Shqipërisë dhe nga shumica parlamentare në Shqipëri”, tha Rama.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›