Paguajmë për Veri

Një strategji gjithëpërfshirëse e Qeverisë për Veriun e Kosovës nuk do të fillojë së zbatuari pa përfunduar zgjedhjet në Serbi.
Ekzekutivi i Kosovës ka ndarë gjysmë milioni të mërkurën për këtë pjesë të Kosovës, por ato mjete nuk janë paraparë të shkojnë edhe për serbët.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati ka thënë se rreth një strategjie për Veriun ka biseduar edhe me Kryeministrin Thaçi, por sipas tij, asgjë në këtë drejtim nuk do të ndodhë para zgjedhjeve të 6 majit në Serbi.
“Po, kemi biseduar gjerë e gjatë, mirëpo e dini se si është situata në pjesën veriore, pak ka interesim që të zhvillohet diskutim për etnitë e tjera për investime kapitale. Kështu që ka mbetur që për strategji të bisedohet menjëherë pas datës 6 maj”, ka thënë Kastrati, në një prononcim për Express, të mërkurën.
Mjetet e ndara me vendim të Qeverisë janë dedikuar për rregullimin e shtëpive të shqiptarëve që jetojnë në lagjen Kroi i Vitakut.
“Kam pasur takim dje me Kryeministrin dhe këto mjete janë të destinuara për rindërtimin e shtëpive në Veri, te Kroi i Vitakut. Për momentin, këto mjete do të shfrytëzohen për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve që kanë mbetur nga viti i kaluar të pakryera. Nuk kemi kërkesa të tjera prej të tjerëve”, ka thënë Kastrati.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar qe një kohë të gjatë publikimin e një strategjie për Veriun, për integrimin e serbëve në institucione.
Përgjegjësi për financa në Ekzekutiv, Bedri Hamza ka thënë se Ministria e Financave është e gatshme të përkrahë zbatimin e dokumenteve për integrimin e Veriut.
“Me qëllim të zbatimit të të gjitha strategjive të caktuara, ne jemi të gatshëm brenda mundësive buxhetore, t’i përkrahim me fonde. Këto janë veprime që duan edhe mbështetje financiare”, ka thënë Hamza.
I pyetur se sa euro është e gatshme të ndajë Qeveria për Mitrovicën, Hamza nuk ka dhënë ndonjë shifër.
“Jo, unë nuk dhashë shifra... Unë nuk po flas me shifra, mirëpo ne jemi në përkrahje të zhvillimit të infrastrukturës në atë pjesë. Ne varësisht prej kërkesave dhe mundësive reale, jemi të gatshëm të investojmë atje”, ka shtuar ai.
Por, Sekretari Shtetëror i Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic thotë se veprimet e Prishtinës po bëhen për konsum publik, e jo për zgjidhjen e problemit. Insiston që ky problem mund të zgjidhet vetëm përmes Beogradit.
“Nuk duhet të luhet me ide, pavarësisht a është e mirë a jo, do të humbet nëse nuk kalon pa u marrë vesh me Beogradin, në negociata që do të zhvillohen menjëherë pas formimit të Qeverisë serbe. Kjo është një qasje kontraproduktive se me këtë mënyrë po harxhohen mundësitë”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, gjatë ditës, Zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic ka folur për Veriun me Drejtorin për zhvillimin e politikave rajonale në SHBA në Departamentin e Shtetit, Raffi Gregorian.
Ai ka thënë se Qeveria është e gatshme të bisedojë me qytetarët për integrimin e tyre, por jo edhe me strukturat paralele.
“Sa i përket dialogut dhe bisedimeve, jemi të gatshëm për çdo dialog nëse do të kishte për qëllim avancimin e jetës më të mirë dhe mirëqenies më të mirë për qytetarët në atë pjesë, por në kuadër të funksionimit të politikës që e zhvillon Qeveria e Kosovës”, ka thënë Petrovic.
Pjesa më problematike e Kosovës prej të mërkurës ka mbetur edhe pa Koordinatorin e Qeverisë për Veriun, pasi Ylber Hysa është emëruar ambasador në Maqedoni.
Ndryshe, në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan po vazhdojnë të funksionojnë shumica e institucioneve paralele të Serbisë, të cilat kundërshtojnë shtrirjen e Kushtetutës së Kosovës në atë pjesë.
Ndërkohë, korrikun e kaluar, Qeveria pati vendosur të ndërhyjë në Veri me pjesëtarët e Policisë, aksion ky që përfundoi me bllokimin e rrugëve në atë pjesë.
Tash, shumë zyrtarë ndërkombëtarë kanë kërkuar zgjidhje politike për Veriun, derisa kanë kërkuar që për këtë të bisedohet mes Prishtinës dhe Beogradit.