E Diel, 1 Nëntor 2026

Paguante me kartëmonedha të falsifikuara, arrestohet 24-vjeçari në Rrogozhinë


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përdorimi”, pas kallëzimit të bërë se një shtetas kishte mashtruar në një pikë karburanti duke përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara për të paguar karburantin e automjetit,

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Rr., 24 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në një pikë karburanti në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë, ka furnizuar automjetin me karburant dhe ka kryer pagesën me 3 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, në portofolin e tij u gjetën edhe 10 kartëmonedha të tjera me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në total u sekuestruan 13 kartëmonedha me prerje 20 euro, të dyshuara të falsifikuara.

Vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë./m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›