E Diel, 1 Nëntor 2026

“Preserving Our Sea”, qindra vullnetarë pastrojnë bregdetin dhe ujërat e Porto Palermos


TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Qindra vullnetarë, zhytës profesionistë dhe banorë të zonës iu bashkuan për të katërtin vit radhazi nismës mjedisore “Preserving Our Sea” në Porto Palermo.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky aksion për pastrimin e bregdetit, të cilin e cilësoi si “një shembull të bukur të kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore”.

“Porto Palermo, ku për të katërtin vit radhazi iniciativa “Preserving Our Sea” bashkoi qindra vullnetarë, zhytës profesionistë dhe komunitetin lokal për pastrimin e bregdetit, Kalasë së Ali Pashës dhe ujërave të Porto Palermos, duke dhënë një shembull të bukur të kujdesit për mjedisin dhe trashëgiminë tonë natyrore”, u shpreh Rama.

Aksioni u përqendrua në pastrimin e vijës bregdetare, mjediseve përreth Kalasë së Ali Pashës dhe ujërave të gjirit. Zhytësit profesionistë ndërhynë për largimin e mbetjeve nënujore, ndërsa vullnetarët dhe pjesëtarët e komunitetit lokal pastruan zonën përgjatë bregut.

Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e ekosistemeve detare dhe ruajtjen e trashëgimisë natyrore e kulturore të Porto Palermos.

/m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›