Paguat në 1999-ën, sot asgjë! Pronari i restorantit që bëri bujë në Kosovë nderohet në Turqi

“Sot jemi rivalë, por gjithmonë miq! Kafeja dhe çaji janë falas për të gjithë tifozët turq. Ju paguat në vitin 1999, sot nuk do të paguani asgjë”, – shkruhej në tabelën para një restoranti në Prishtinë, para ndeshjes Kosovë-Turqi për Play-off-in e Botërorit. Menjëherë ajo tabelë bëri xhiron e botës.
Pronari i restorantit në fjalë quhet Mentor Berisha dhe së fundi ai dhe familja e tij kanë vizituar Stambollin me ftesë të presidentit të Federatës Turke të Futbollit, İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu.
Në fund të takimit, që u zhvillua në kampin stërvitor të ekipave kombëtare të Turqisë, familja Berisha i dhuroi presidentit të federatës turke tabelën që kishte vendosur në restorantin e saj. Presidenti Hacıosmanoğlu në anën tjetër i dhuroi familjes Berisha fanella të Turqisë me emrat e çdo pjesëtari.
Mentor Berisha tërhoqi vëmendjen dhe mori vlerësime nga qytetarët turq për tabelën që kishte varur në hyrje të restorantit të tij në Prishtinë më 31 mars, kur Kosova u mund 0-1 nga Turqia dhe nuk mundit të shkojë në Botëror.