E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Provat e fabrikuara gjatë epokës së Millosheviçit s’duhet të përdoren në gjykatë

PRISHTINË, 10 prill/ATSH/ sh-presidenti Hashim Thaçi në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka shprehur bindjen që gjyqtarët e kanë parë dhe dëgjuar të vërtetën për çështjen e akuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale.

Thaçi dhe tre udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Kransiqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, po presin vendimin pas gjykimit që zgjati rreth 6 vjet.

Në intervistën për gazetën prestigjioze gjermane, me pyetjet që sipas autorit Michael Martens ishin dërguar verën e vitit të shkuar dhe ishin kthyer në fundvit, Thaçi është pyetur nëse gjykimi ndaj tij mund ta ndryshojë perceptimin e historisë për Kosovën.

Ai ka thënë se ky mbetet shqetësim, por ka shtuar se “ngjarjet e të 90-tave janë të dokumentuara mirë” dhe s’bëhet fjalë për “interpretim”.

“‘Provat e fabrikuara gjatë epokës së Millosheviçit nuk duhet të përdoren në gjykatë. Nëse pranohen, nuk do të ishte çudi që pretendime të ngjashme të përdoren edhe në konflikte të tjera. Kosova nuk ka sulmuar kurrë territor serb. Populli i Kosovës luftoi për të drejtën për të ekzistuar. Ky proces nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë”, ka thënë ai.

I pyetur nëse do të mund të shpallej fajtor a do të nënkuptonte kjo se NATO-ja ka bashkëpunuar me kriminel lufte, Thaçi ka përsëritur se “ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u mbështet në vlerat e lirisë, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”

“NATO erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi çfarë po kalonim nën Millosheviçin. Në Rambuje, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën dhe spastrimin etnik. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës bëri rezistencë. Pa këtë rezistencë dhe ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë po ashtu se ai ka pritur që gjykimi të jetë mbi bazën e raportit të Dick Martyt për pretendimet për trafikim organesh.

“Shpresa jonë e vetme është që ky proces do të kontribuojë në të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin. Jam i bindur se gjykata ka dëgjuar dhe parë të vërtetën. E vetmja pyetje është se çka do të bëjnë ata me të”, ka thënë tutje ai.

Thaçi ka thënë se ndihet i përmbushur me karrierën e tij politike dhe se garën politike e ka lënë pas vetes, por jo edhe jetën politike.

Intervista u realizua nga gazetari Michael Martens, që nëpërmjet rrjetit social “X” ka bërë të ditur se pyetjet i kishte paraqitur qysh në gusht të vitit të shkuar, e se ishin dashur katër muaj që Specialja ta njoftonte se “përgjigjet e Thaçit janë miratuar”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›