Pahor: Sllovenia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave për shqiptarët Kryeministri Berisha gjatë takimit dypalësh me Kryeministrin slloven, Borut Pahor

Kryeministri Berisha, gjatë vizitës në Slloveni, zhvilloi një takim dypalësh me Kryeministrin slloven Borut Pahor. Kryeministri i Shqipërisë vlerësoi si mjaft të rëndësishme këtë Konferencë për bashkëpunimin rajonal, në realizimin e integrimit në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shprehu vlerësimet për organizimin e shkëlqyer të këtij evenimenti. Kreu i ekzekutivit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Sllovenisë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit të saj në BE, si dhe theksoi se marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve do të njohin thellim të mëtejshëm. Gjatë takimit, kreu i qeverisë e njohu Kryeministrin slloven me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt realizimit të standardeve dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara për integrimin në BE dhe liberalizimin e vizave. Në këtë kontekst, Kryeministri slloven shprehu mbështetjen e plotë te qeverisë sllovene për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave për shqiptarët.