Pajisen me vendim legalizimi 40 familje në një pallat në Laprakë

TIRANË, 6 tetor/ATSH/ Kadastra Shqiptare informoi sot se deri tani 40 familje në pallatin 7-katësh në rrugën “Pandi Dardha” në Laprakë janë pajisur me vendim legalizimi, ndërsa 25 dosje të tjera janë drejt përfundimit.
Në një postim në rrjetet sociale Kadastra Shqiptare sqaron se “ky pallat i nisur në vitin 2003, për vite me radhë nuk mundi të përfshihej në procesin e legalizimit për shkak të mungesës së dokumentacionit teknik”.
“ASHK në zbatim të VKM nr. 1180, datë 24.12.2020, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të ndihmuar banorët të pajisen me dokumentacion për pasuritë e tyre, në bashkëpunim me administratorin e pallatit. Kolegët tanë janë në terren duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe matjet e njësive të objektit”, theksoi Kadastra Shqiptare.
Kadastra sqaron se sipas VKM nr. 1180, datë 24.12.2020, e cila rregullon procedurat për legalizimin e ndërtimeve pa leje ose në devijim, banorët e pallateve që janë në shkelje të lejes së ndërtimit (kur investitori nuk ka përmbushur detyrimet ligjore) duhet të ndjekin disa hapa për të vijuar procedurat e legalizimit në emër të tyre.
Këto hapa janë: të përfaqësohen nga administratori ose një përfaqësues me prokurë, për koordinimin e procesit të dokumentacionit teknik dhe juridik për gjithë objektin; të dorëzojnë dokumentacionin bazë, që përfshin kopje të dokumentit të identifikimit(ID/pasaportë), kontratën e sipërmarrjes/porosisë, apo çdo kontratë tjetër e lidhur me ndërtuesin/investitorin si dhe aktekspertiza e godinës e hartuar nga një subjekt i licencuar.
“Bashkëpunimi me specialistët tanë për mbledhjen e dokumentacionit të duhur si dhe gjatë matjeve dhe evidentimeve në terren, është thelbësor për të përfunduar sa më shpejt procedurën e legalizimit, duke siguruar pronësinë e banesës së tyre në mënyrë të drejtë dhe transparente”, theksoi Kadastra.
1 nga 10/k.s//a.f//r.e/