Pajtim Bello: Situata energjetike, si në 96-97. Do rrimë pa drita për shumë kohë
Ish-zëvendësministri i Energjetikës, Pajtim Bello, thotë i alarmuar se situata energjetike është e njëjtë si me atë të periudhës 96-97, kur Shqipëria u fut në një krizë të madhe. Sipas tij, për shkak të situatës së krijuar, do të rrimë për shumë kohë pa drita.
Bello, duke folur për A1 Report, është shprehur se gjendja alarmante që ka mbërthyer sistemin energjetik në vend, është pasojë e sundimit që kryeministri Berisha, bashkë me intitucionet e tjera i kane bërë kompanisë CEZ Shpërndarje.
Që prej 6 muajsh CEZ Shpërndarja është nën sundimin e klaneve politike e familjare të Sali Berishës. Kjo situatë e rëndë është rezultat i një bashkëpunimi kriminal kryeministri- Ministri e Ekonomisë- Bordi i Entit Rregullator të Energjisë dhe stafi i Administrimit Shtetëror të Sait Dollapit. Humbjet elektrike në rrjetet e shpërndarjes e kalojnë nivelin 52% dhe kalojnë mes 52-55%, një situatë që ka qenë në krizën e 96-97, ndërsa arkëtimet që në muajin qershor kanë një rezultat katastrofik. Janë arkëtuar vetëm 2.7 miliard lekë, kur në qershorin e 2012 janë arkëtuar 3. 1 miliardë lekë. Do të rrimë pa drita për shumë e shumë kohë. Do të kemi një sistem të nxjerrë nga binarët, thotë i shqetësuar Bello.
Ai ka vijuar akuzat, duke thënë se kjo qeveri nuk ka respektuar asnjë ligj të vendit dhe Entit Rregullator.
Nuk zbatohet asnjë ligj i shtetit dhe as vendimet e Entit Rregullator të Energjisë. Në këto muaj janë tenderuar dhe blerë 7 milionë euro materiale pa respektuar as ligjin e prokurimit publik dhe as të ERE. Janë blerë 46 milionë euro energji elektrike nga CEZ Shpërndarje pa zbatuar ligjin e prokurimit publik. Në këtë moment duhet një dorë tu thotë ndal këtyre drejtuesve të institucioneve. Ndal, ndal se po bëjnë një krim jashtëzakonisht të rëndë. Nuk është vetëm se po përkeqësojnë situatën elektrike, por po shkatërrojnë sistemin energjetik të vendit, u shpreh Bello./b.l