Masakra në mes të rrugës/ Valbona Çarçani kërkoi ndihmë, askush nuk u afrua
Nuk kanë qenë të paktë personat që kanë parë se si Valbona Çarçani masakrohej në mes të rrugës e askush nuk ka lëvizur as gishtin për ta ndihmuar.
I shoqi, pasi është konfliktuar me të në afërsi të shkollës Ismail Qemali, e ka gjurmuar për disa metra dhe, më të mbërritur, i ka ngulur thikat.
Gruaja 46 vjeçare ka kërkuar ndihmë, por askush nga të pranishmit e shumtë nuk ka ndërhyrë për ta shpëtuar atë nga kthetrat e vdekjes.
Genci Çarçani e ka masakruar nënën e dy fëmijëve të tij duke e goditur pesë herë me thikë.
Por megjithëse ngjarja ka qenë makabre, autori i krimit ka mundur të largohej i qetë, pasi është siguruar se ish- e shoqja ka dhënë shpirt, për tu arrestuar ca minuta më vonë nga patrullat Shqiponja.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar si ajo e shkollës Ismail Qemali dhe në orët e para të mëngjesit.
Prej afro një viti, Valbona Çerçani jetonte në këtë zone me vajzat e saj, fryt i marrëdhënies 20 vjeçare të martesës me Genci Çarçanin.
Çifti kishte më shumë se dy vite që ishin divorcuar dhe konfliktet e shpeshta ka qenë arsyeja që Valbona i ishte drejtuar gjykatës për zgjidhjen e martesës.
Paratë dhe xhelozia, motivi i vrasjes së Valbonës
Megjithëse Valbona Çarçani ishte banorë e re e rrugës Tefta Tashko, shpejt ajo ka rënë sy të fqinjëve të saj.
E sigurisht shkak për këtë është bërë burri i saj, me të cilin ishte divorcuar dy vite më parë, e që vazhdonte ti nxinte jetën.
Sipas banorëve të zonës, Genci vazhdonte të bezdiste ish- gruan e tij, herë për para e herë për ti treguar se ende e dashuronte.
Banorë të zonës thonë se edhe dy ditë më parë çifti ka debatuar në rrugë, ndërkohë që gjatë gjithë kohës Genci qëndronte në zonë, në ruajtje të ish-familjes së tij.
Sipas fqinjëve, Genci Çarçani i kërkonte para gruas së tij, megjithëse në vendimin e gjykatës së Tiranës ishte pikërisht ai që duhet të jepte 20 mijë lekë në muaj për rritjen e dy vajzave, që gjykata ia kishte besuar Valbonës.
Ndërkohë që, burime të policisë thonë se autori i krimit ishte i papunë e njihet prej tyre si preson që frekuentonte lojërat e fatit.
Por duket se paratë për bixhoz, si dhe xhelozia, kanë shtyrë Çarçanin të ekzekutojë ish- gruan e tij.
Pas arrestimit, 47 vjeçari ka pranuar vrasjen duke thënë se e ka kryer për motive xhelozie.
Genci Çarcani ka deklaruar se është takuar rastësisht me ish-gruan e tij, por sipas banorëve, kjo nuk është e vërtetë.
Ai herë pas here e shqetësonte gruan e tij, megjithëse nuk dihet se përse Valbona nuk ka bërë denoncim për dhunën verbale të ish- bashkëshortit të saj.
Por me gjithë arrestimin e menjëhershëm të të dyshuarit për këtë krim në familje, trupi i Valbonës ka qëndruar në mes të rrugës për më shumë se një orë, për shkak të vonesës së tejzgjatur të ekspertëve të mjekësisë ligjore, të cilët duhet të bënin këqyrjen e nevojshme për veprimet e mëtejshme hetimore.
