E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak dihet për punën e KKZHE-së

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik gjatë javës ka mbajtur takimin e fundit për këtë vit. Pjesëmarrësit, konsiderojnë se Këshilli ka dhënë rezultate dhe është treguar i suksesshëm dhe i nevojshëm. Mirëpo, jo të gjithë, duke përfshirë edhe ekspertë të ekonomisë, dinin për punën e Këshillit, bile as për ekzistimin e tij.


Pas takimit të fundit të Këshillit, kryesuesja Mimoza Kusari Lila si dhe përfaqësuesit e asociacioneve të biznesit, u shprehën të kënaqur me të arriturat e Këshillit. Me Këshillin, në një prononcim për Blue Sky, u shpreh i kënaqur edhe Ministri Besim Beçaj.

“Mendoj që është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm. Besoj se janë marrë vendime të rëndësishme, në këtë aspekt konsideroj se vendi ynë është shumë para vendeve të rajonit, sepse shumë pak vende në rajon kanë komunikimin e tillë të rregullt me sektorin privat”, tha Beçaj.

Por, disa ekspertë eminentë nga të cilët kërkuam prononcim për të vlerësuar punën e Këshillit, nuk pranuan të deklarohen, duke mos qenë të sigurt se me çka merret saktë Këshilli. Jo shumë i njoftuar ishte edhe eksperti Musa Limani, transmeton rtk.

“Deri tani nuk kam dëgjuar se ky Këshill ka marrë ndonjë hap konkretë për shtruarjen e ndonjë koncepti apo strategjie të zhvillimit ekonomik. Mendoj se në kuadër të këtij Këshilli, do të duhej të ishte ndonjë ekonomist me emër, por edhe të profileve tjera, sepse zhvillimi ekonomik është kompleks, interdiciplinar”, theksoi Limani.

Profesor Limani thotë se Qeveria ashtu si edhe Këshilli, nuk po merren me strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, por po marrin vendime ad-hoc. Mirëpo, kryesuesja e Këshillit, Mimoza Kusari Lila, nuk pajtohet me konstatime të tilla.

“Merremi edhe me çështje strategjike, gjithësisht themelimi i grupit punues për industrinë e rëndë është një prej çështjeve edhe aktuale, por edhe shumë strategjike për Kosovën dhe resurset në Kosovë. Gjithashtu politikat fiskale, politikat tregtare nuk janë ditore, por janë të paktën afatmesme”, tha Kusari Lila.

Nga ana e tij, sekretari i Odës, Berat Rukiqi, kërkon që Këshilli do të duhej të insistonte që çështja e zhvillimit ekonomik të jetë prioritare për vendin. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›