E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak shpresa që në shtator të shuhen strukturat ilegale të sigurisë

Bazuar nga e kaluara, ku pala serbe gjithmonë ka zvarritur zbatimin e marrëveshjeve të arritura, ka pak shpresë që me 30 shtator të shuhen strukturat ilegale të sigurisë në veri. Të paktën kështu vlerësojnë njohësit e fushës së sigurisë në vend. Florian Qehaja drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë nuk e sheh si indikator shuarjen e këtyre strukturave marrëveshjen e Brukselit, po më shumë si një barrë financiare që Serbia i konsideron këto struktura.

“Unë me shumë e shoh këtë shpërbërje si reduktim të shpenzimeve që është duke bërë Serbia, e jo si ndonjë zotim të dalluar në zbatimin e marrëveshjen. Shuarja e MUP në veri, nuk do të thotë se janë zgjidhur problemet, duke pasur parasysh se atje do të operojnë edhe dy grupacione të caktuara, siç janë “mbrojtja civile” e cila do të jetë prezente dhe një formacion tjetër që ka detyra speciale…Shuarja e MUP në atë pjesë nuk do të thotë se nuk do të ketë prani të shërbimit ushtarak dhe civil të cilët do t’i shërbejnë interesave të caktuara të Serbisë, në rast se takohet”, tha Qehaja, transmeton Radio Kosova.

Ndërsa eksperti tjetër i sigurisë Naim Maloku, 30 shtatorin e sheh më tepër si datë të shuarjes juridike të strukturave paralele.

“Kjo parasheh që me 30 shtator të përfundojë ekzistimi i strukturave paralele në veri. Mirëpo deri të shuarja faktike e këtyre strukturave do të merr edhe shumë kohë, do të jetë një proces ku do të jenë të angazhuar pala kosovare”, tha ai.

Maloku thotë se pala kosovare pas kësaj date duhet të merret me trajtimin dhe sistemimin e pjesëtarëve të këtyre strukturave ilegale.

“Unë besoj se me 30 shtator ata do të mbesin pa paga pa mbështetje financiare nga Serbia, që është edhe kusht i marrëveshjes. Dhe pas kësaj date këta janë brengë e shtetit të Kosovës, por duhet të ketë durim në inkorporimin e tyre”, tha ai.

Ndërsa sipas Qehajes, vetëm pas një verifikimi të saktë dhe të besueshëm një numër i vogël i pjesëtarëve të këtyre strukturave duhet të përfshihen në radhët e Policisë së Kosovës.

“Dhe jo vetëm nga ana e KFOR-it siç po pretendohet, por verifikimi të bëhet nga ana e Qeverisë së Kosovës, në këtë rast autoriteti final për verifikim duhet të jetë Departamenti për verifikimin e sigurisë së Kosovës në kuadër të AKI. Dhe si rrjedhojë duhet të konsiderohet se çdo verifikim tjetër që nuk e bënë Qeveria e Kosovës duhet të konsiderohet jo valid. Me çdo kusht duhet të insistohet që këta persona t’i nënshtrohen këtij verifikimi nën një dhe nën dy nuk bënë të bëjnë lëshime drastike sa i përket kritereve profesionale që imponohen tek të gjithë personat që tentojnë të hyjnë në fuqi në Kosovë”, tha Qehaja.

Ai madje thotë se në asnjë rrethanë Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë integrimin e këtyre personave në kuadër të Policisë e Kosovës pa simbolet e shtetësisë. Nëse ndodh një gjë e tillë, sipas tij është shkelje e Kushtetutës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›