“Paketa e Maleve” në Mallakastër, dorëzohen dhjetëra aplikime, interes edhe nga emigrantët

Zonat kodrinore të Mallakastrës kanë interesin më të lartë në të gjithë territorin e qarkut Fier për të aplikuar për “Paketën e Maleve”, një nismë e qeverisë për mbështetjen e turizmit dhe agrobiznesit.
Sipas drejtorit të Pyjeve dhe Mjedisit pranë Bashkisë Mallakastër, Ledian Shehaj, kryesisht në zonat me fushëpamje drejt lumit Vjosë, deri më tani numërohen 48 aplikime, ndërsa bujtinat, komplekset blegtorale, restorantet dhe panelet diellore janë bizneset më të preferuara në perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Dominojnë fshatrat Drinovë, Hekal dhe Çorrush, duke qenë se këto zona kanë fushëpamje nga lumi Vjosë, i cili është një destinacion turistik. Interesi është shtrirë edhe në fshatra të tjerë të bashkisë, pasi kërkesa ka qenë e lartë”, tregon Ledian Shehaj, Drejtori i Pyjeve dhe Mjedisit në Bashkinë Mallakastër.
“Paketa e Maleve” pritet t’i japë një hov zhvillimit ekonomik të Mallakastrës, ka theksuar Shehaj, duke ndikuar në ripopullimin e fshatrave përmes krijimit të vendeve të reja të punës, pas shpopullimit të lartë të viteve të fundit.
“Pjesa dërrmuese e aplikantëve janë emigrantë, duke filluar nga shqiptarët që jetojnë në Greqi, Itali, Gjermani e deri në Amerikë. Kthimi dhe zhvillimi i këtyre zonave do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e popullsisë”, tregon më tej zoti Shehaj.
Një ndër aplikuesit e “Paketës së Maleve”, Dashnor Veliaj, pohon se është kthyer nga Amerika për të investuar në vendlindjen e tij. Ai zotëron një fermë me rreth 400 krerë bagëti të imëta dhe synon të ndërtojë edhe disa bujtina.
“Doja të ndërmerrja një investim përmes ‘Paketës së Maleve’ në fshatin ku unë banoj, për të krijuar mundësi zhvillimi duke ndërtuar disa bujtina”, shprehet Dashnor Veliaj.
Është e papranueshme që të rinjtë e zonës të detyrohen të investojnë jashtë vendit, thotë Veliaj, duke apeluar për më shumë mbështetje nga shteti shqiptar.
“I bëj thirrje të gjithë emigrantëve që janë larguar ndër vite të kthehen dhe të investojnë në fshatrat respektive, pasi mundësia ekziston.”
Megjithëse në pjesën më të madhe të territorit të qarkut Fier mbizotërojnë zonat fushore, ka edhe vende ku mund të zbatohet “Paketa e Maleve”. Numri total i aplikimeve deri më tani ka arritur në 154, kryesuar nga Fieri me 50 aplikime, Mallakastra me 48, Lushnja me 37, ndërsa Patosi, Roskoveci dhe Divjaka renditen me një numër më të ulët aplikuesish.
/vizionplus.tv