“Paketa e Maleve”, shpallen disa zona me përparësi zhvillimi në bashkinë Mallakastër

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka vendosur sot shpalljen e disa zonave në territorin e Bashkisë Mallakastër si “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore”, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”.
Vendimi synon nxitjen e zhvillimit ekonomik, industrial dhe turistik në zonat malore, duke krijuar kushte të favorshme për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm në territorin e Bashkisë Mallakastër, Qarku Fier.
Në listën e zonave të shpallura përfshihen 20 njësi të ndryshme territoriale, të shtrira në fshatra si Klos, Damës, Drizar, Lofkënd, Panahor, Ninësh, Anëbreg, Çorrush, Aranitas, Gjerbës, Belishovë, Hekal, Selitë, Kalenjë, Kash dhe Lapulec, me sipërfaqe që variojnë nga 1 deri në 714 hektarë, sipas hartës zyrtare në sistemin KRGJSH.
Sipas vendimit, shtrirja, kufijtë dhe pikat hyrëse e dalëse të këtyre zonave përcaktohen në hartën përkatëse zyrtare, e cila i bashkëlidhet aktit të Këshillit të Ministrave.
Në këto zona do të lejohen dhe nxiten aktivitete me fokus zhvillimin ekonomik, industrial dhe turistik, me qëllim rritjen e potencialit lokal dhe zhvillimin e ekonomisë malore.
Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Mallakastër për zbatimin e vendimit.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
/gj.m/r.e/