E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregulla të reja për trajtimet financiare në administratën publike

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim që përcakton rregullat, kriteret dhe masën e trajtimeve të tjera financiare për të punësuarit në administratën publike, me synim krijimin e një sistemi më të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm të shpërblimit, i cili nxit performancën e lartë dhe inovacionin.

Vendimi zbatohet për nëpunësit civilë dhe punonjësit e institucioneve të administratës shtetërore, institucioneve të pavarura dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, duke parashikuar lidhjen e shpërblimeve me rezultatet konkrete në punë, arritjen e objektivave dhe kontributin në përmirësimin e performancës institucionale.

Sipas aktit të miratuar, shpërblimi për rezultate në punë do të jepet mbi bazën e vlerësimit periodik të performancës, ndërsa parashikohet edhe trajtim financiar për arritje të jashtëzakonshme individuale ose në grup që ndikojnë në realizimin e objektivave strategjike të institucioneve.

Vendimi parashikon gjithashtu çmime dhe shpërblime për ide inovative dhe inovacion, të cilat do të jepen çdo vit në kuadër të Javës së Administratës Publike, si dhe shpërblime për projekte të suksesshme që kanë sjellë përfitime financiare, institucionale apo kombëtare.

Po ashtu, akti përcakton fushat dhe nënfushat prioritare të zhvillimit të vendit, për të cilat do të aplikohet shtesë e veçantë e kushtëzuar mbi pagën, përfshirë teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, infrastrukturën gjeohapësinore dhe menaxhimin e programeve IPA III dhe IPARD III.

Vendimi synon të forcojë mekanizmat e vlerësimit të performancës në administratën publike dhe të rrisë motivimin e punonjësve përmes një sistemi më të qartë shpërblimi të bazuar në meritë dhe rezultate konkrete.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›