Paketa e Sigurisë në shkolla/ Nxënësit: Më shumë siguri për ne

Në ditën e dytë të nisjes së vitit të ri shkollor, efektivë të Policisë së Shtetit kanë patrulluar gjatë gjithë periudhës së orarit mësimor pranë godinave arsimore.
Radio Televizioni Shqiptar vëzhgoi nga afër dy shkolla në qendër dhe periferi të Tiranës, ku pa nga afër se efektivët ishin prezentë për të monitoruar gjithçka ndodh në perimetrin e sigurisë, që është 50 metër rreth e qark shkollave.
Për prindërit, por edhe vetë nxënësit, prania e efektivëve afër shkollave përkthehet në më shumë siguri.
“Do kemi kontroll më të shpeshtë… Do jetë më mirë se ka shumë njerëz nga jashtë që vijnë,” thonë për RTSH nxënës e prindër që e përgëzojnë nismën.
Kjo është hera e parë që në të gjitha shkollat e vendit monitorimi nga efektivët e policisë do të jetë i vazhdueshëm, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative apo edhe ngjarjeve rrugore.
Në të gjithë vendin do të jenë në këtë shërbim rreth 200 punonjës policie.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/