“Paketa e re fiskale do t’u kushtojë shqiptarëve 150 mln euro shtesë” – Teliti: Ftesa për dialog është false! Kryeministri është tallur me qytetarët, ka dhunuar biznesin duke i vënë tritol
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Dorian Teliti theksoi se paketa e re fiskale rëndon qytetarët shqiptarë, duke shtuar se do t’u kushtojë atyre 150 milionë euro shtesë në taksa në vit.

Në një intervistë për News24, ai deklaroi se qeveria nuk është konsultuar me grupet e interesit për paketën e re, sikurse e kërkon procedura parlamentare. Ai e cilësoi si false kërkesën e kryeministrit për të dialoguar me protestuesit, ndërsa nga ana tjetër kalon pa bisedime paketën fiskale.
“Me kë e dialogoi qeveria këtë paketë fiskale? Është detyrim ligjor që paketa fiskale dhe projektbuxheti të konsultohet me grupet e interesit dhe qytetarët, me dhomat e tregtisë dhe të biznesit. Ke reagimet e dhomave, investitorëve që kanë thënë jo thjesht nuk jemi pyetur por kjo paketë rrezikon akoma më shumë rritjen e çmimeve në të ardhmen.”, u shpreh Teliti.
Ai theksoi se dialogu është i kotë përsa kohë kryeministri është tallur për vite me rradhë me qytetarët dhe bizneset. Teliti përmendi edhe sulmin ndaj “Prestige Resort”, teksa tha se qeveria ka dhunuar biznesin duke i vendosur tritol.
“Kur ke 13 vite që je tallur me qytetarët, kur i ke bërë që të paguajë 750-800 milionë euro taksa shtesë vit për vit, kur ke abuzuar me paratë e shqiptarëve, kur Shqipëria është shpopulluar, kur ke dhunuar biznesin dhe duke i vënë tritolin. Në mëngjes thua dialog dhe pasdite jep dajak, apo natën hedh gaz lotsjellës, apo pasdite çon furgonat e policia pa targa policie me disa civilë që edhe kanë grabitur vajzat rrugës apo njerëz që kanë thyer këmbët. Po të kishim qeverisje normale, dialogu është pjesë normale e jetës politike. Me qeverisjen aktuale nuk mund të ketë sepse i ka ngrënë në besë qytetarët.”, tha ai.
Ai tha se pas dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, duhet të ketë dialog me kryetarin e PS për zgjidhjen e krizës me një qeveri tranzitore.
“Duhet të ketë dialog me kryetarin e PS, sepse qeveria duhet të japë dorëheqjen. Dialogu duhet të vijë midis forcave politike dhe përfaqësuesve të protestës. Dialog midis politikës dhe ekzekutivit ka pasur 13 vite dhe është shkelur. Qeverisja të hapë krahun. Të ngrihet një qeverie tranzitore me objekt realizimin e zgjedhjeve. Të shkojmë të gjithë në zgjedhje, me lidership, dhe program dhe jo me banda. “, shtoi ai.