E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakistan/ 15 persona vdesin nga përmbytjet

Shirat e rrëmbyeshëm në jug të metropolit pakistanez Karachi kanë shkaktuar të paktën 15 të vdekur dhe kanë lënë pa energji pjesën më të madhe të këtij qyteti, njoftoi një agjenci ndihmash. Shirat përmbytën pjesët e ulëta të qytetit duke dëmtuar me qindra shtëpi dhe duke ndërprerë energjinë elektrike. Bilanci i viktimave mund të rritet pasi shumë pjesë të qytetit janë të bllokuara, shpjegoi një zyrtar i fondacionit "Ehdi", një organizatë humanitare që vepron në vend. Sipas njoftimeve të gazetave lokale, numri i të vdekurve nga përmbytjet mund të jetë më i lartë se 20 persona. Shirat dhe përmbytjet shkaktojnë çdo vit dëme të mëdha në këtë rajon. Në vitin 2007, rreth 250 persona humbën jetën nga reshjet e dendura të sezonit të përvitshëm të shirave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›