Pakistan, hetohen shkaqet e aksidentit ajror

Pakistani nuk lejon pronarin e një linje ajrore të largohet nga vendi pas rrëzimit të një prej avionëve të kompanisë së tij që shkaktoi vdekjen e 127 njerëzve. Ministri i Brendshëm pakistanez Rehman Malik tha se Farooq Bhoja nuk lejohet të largohet nga Pakistani, ndërkohë që zyrtarët e aviacionit po hetojnë aksidentin që ndodhi dje duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pasagjerëve në bord.
Zyrtarët thanë se aeroplani 30 vjeçar i kompanisë Bhoja Air ishte në fluturimin e parë nga Karaçi në Islamabad, kur u rrëzua gjatë një stuhie.
Dëshmitarët thonë se aeroplani Boeing 737 u rrëzua afër aeroportit ndërkombëtar të kryeqytetit dhe se avioni mund të jetë përfshirë nga zjarri para se të rrëzohej. Zyrtarët thanë se nuk u plagos askush në tokë.
Kryetari i Autoritetit për Zhvillim të kryeqytetit Islamabad, Farkhand Iqbal, tha se kutitë e zexza u gjetën dje në orët e vona.
“Punonjësit tanë kanë gjetur kutitë e zeza, të cilat do t`ua dorëzojmë autoriteteve përkatëse. Ata do të hetojnë se çfarë ka ndodhur në aeroplan gjatë momenteve të fundit para rrëzimit. Procesverbali duhet të jetë brenda këtyre kutive”.
Sot në orët a para të mëngjesit, punonjësit e shpëtimit vazhduan punën për gjetjen e viktimave në vendin e rrëzimit.
“Ne jemi në kërkim të trupave të tjera. Ne kemi bërë kërkime gjatë natës, por ishte errësirë, prandaj mendoj se është e mundur që tani ne mund të gjejmë pesë deri në shtatë trupa të tjerë në këtë vend”, thotë Zameer Ahmed, punonës shpëtimi.
Ndërkohë, të afërmit e pasagjerëve prisnin sot me ankth në një spital të Islamabadit, ndërsa arkivolet me trupat e të dashurve të tyre të vrarë liroheshin për varrim.
Shah Mumtaz, humbi vëllanë në këtë aksident.
“Vëllai im ishte një njeri i dashur. Dy djemtë e tij janë vendosur në Karaçi. Ata kalojnë dimrin në Karaçi dhe verën ne fshat, ne kemi shtëpitë tona në fshat. Ata kishin ardhur për të kaluar sezonin e verës këtu”.
Në korrik të vitit 2010, një avion pasagjerësh i linjës ajrore Airblue u rrëzua në malet pranë Islamabadit, duke vrarë 152 njerëzit në bord. Ajo ishte përplasja më vdekjeprurëse e një aeroplani në historinë e atij vendi.