Pako e Hekurudhave, Rama: Në proces ndërtimi brenda 2030-s

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, nëpërmjet rubrikës “Sy m’Sy” iu përgjigj sot komenteve të qytetarëve në platformat sociale në lidhje me projektet për hekurudhat dhe kryesisht për hekurudhën “Kuqezi”, Durrës – Prishtinë.
Kreu i qeverisë tha se ideja për ndërtimin e hekurudhës është hedhur edhe në mbledhje të përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ndërsa shtoi se konsultët austriakë kanë përcaktuar opsionin për kalimin e saj nga Shkodra përmes Gjakovës dhe Prishtinës si më të mirin.
“Ky projekt është dorëzuar në çdo fazë të tij, edhe në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive kur ishte në nivelin e projektidesë, nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me fazën e re ku konsultët austriakë kanë përcaktuar opsionin e kalimit nga Shkodra përmes Gjakovës në Prishtinë si më të mirin. Prandaj dhe ekipi ynë i përbashkët e ka parë të udhës ta bëjë me dije edhe mbylljen e kësaj faze, sepse jeta vazhdon”, tha Rama.
I ndalur tek financimi, Rama u shpreh: “E dyta, sa kushton, këtë do ta nxjerrë projekti i detajuar i cili përsëri do të bëhet nga një ekspertizë ndërkombëtare e nivelit të lartë dhe do të aprovohet nga Fondi i Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Një gjë është e sigurt, që pa lekë hekurudha nuk bëhet dot. A do të mbarojnë apo jo këtë projekte, këtë fatmirësisht nuk e kanë në dorë ata që shajnë dhe tallen nga kafenetë e Tiranës dhe Prishtinës, por e kanë në dorë ata që projektojnë dhe punojnë në llogoren e të ardhmes”.
Rama tha se “programi i hekurudhave është një pako e re dhe tërësore të cilës i ka ardhur koha tanimë dhe e cila është hapur me Tiranë – Rinas – Durrës, ku puna po shkon drejt përfundimit”.
Sa i takon procesit të nisjes së punimeve, Rama tha se jemi në procese të avancuara në disa hekurudha, ndërsa theksoi se jo më vonë se në 2030-n do të jenë në procese ndërtimi disa prej tyre, ndërsa shtoi se në dekadën tjetër do të jenë në punë.
“Por çka duhet ta dini për kulturën tuaj të punëve në këtë vend, që më duket shumë e kufizuar, është fakti që vonesat e fillimit të procedurave të punimeve në atë hekurudhë kanë qenë të lidhura me pozicionin ende të dobët të Shqipërisë deri para ca vitesh, kur ende nuk na merrnin shumë seriozisht as BE, as bankat e saj zhvillimore, të cilat janë burimi i financimit të pakos së hekurudhave përmes Fondit Evropian të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Sot është një histori tjetër, prandaj jemi në procese të avancuara të hekurudhave Durrës – Hani i Hotit, ku nis puna brenda këtij viti, ose Durrës – Rrogozhinë, ose Rrogozhinë – Pogradec dhe pastaj Durrës – Rrogozhinë hekurudha e Korridorit 8, apo Durrës – Fier dhe Fier – Vlorë, të gjitha këto nisin me radhë njëra pas tjetrës, por jo më vonë se në 2030-n të tëra janë në procese ndërtimi të ndryshme dhe në fillimin e dekadës tjetër do të jenë të tëra në punë dhe të dy ju do të keni mundësi të shfrytëzimit edhe trenin”, tha Rama.
Sa i takon komenteve për projektet 3D, Rama tha se “çdo vepër e re publike nis nga një ëndërr, pastaj bëhet plan, pastaj bëhet projekt 3D dhe pastaj projekti 3D kthehet në vepër. Për hir të së vërtetës mendoja se nuk ka njerëz që nuk vijojnë më me këtë avazin 3D, se ne kemi treguar se 3D-të tona janë thjeshtë hallka e parafundit e realizimit të një ëndrre dhe kthimit të saj në realitet. Po e paskam gabim – dhe shyqyr në fakt – se na duhen hudhra, si ti, i dashur mik, për të mos pasur më shumë problem sa duhet dhe sa mundet me syrin e keq, ndërkohë që Shqipëria 2030 por merr formë dita-ditës me shumë ëndrra, me shumë punë dhe patjetër me shumë durim, se përveç të gjitha të tjerave duhet shumë durim ekstra për të përballuar ty dhe shokët e tu”.
/r.e//a.f/