E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti i fshehtë Berisha-Samaras për detin

Gazeta Shqip

Marrëveshja e re e ujërave pritet që të publikohet brenda dy muajve

Kryeministri shqiptar dhe ai grek kanë rënë dakord për riaktivizimin e marrëveshjes së detit. Burime të sigurta të Top Channel pranë Ministrisë së Jashtme greke thanë se aktivizimi i marrëveshjes së vitit 2009, tashmë është në fazën finale dhe me shumë gjasa pritet të publikohet brenda një afati një ose dymujor. Për këtë është dashur ndërhyrja e Andonis Samaras, i cili e ka diskutuar këtë vetë me zotin Berisha, gjatë takimeve ose bisedave të shpeshta telefonike të kohëve të fundit midis tyre. Berisha i ka premtuar homologut tw tij grek se do ta përfundojë marrëveshjen në një afat të afërt, me gjithë presionin tepër të madh, që sipas tij, i është ushtruar mazhorancës qeverisëse në Shqipëri, prej forcave ekstremiste, siç konsiderohet Aleanca Kuq e Zi dhe një pjesë e Partisë Socialiste. Synimi është përfundimi dhe votimi i marrëveshjes përpara festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë dhe reagimeve të mundshme të opinionit shqiptar. Sipas të njëjtave burime, ndonëse e ndryshuar në pak terma, marrëveshja nuk prek thelbin e paktit të mëparshëm, që siç dihet, u rrëzua prej Gjykatës Kushtetuese. Greqia pritet të lëshojë pe” në përcaktimin e gjireve detare, përllogaritja e të cilave ishte në disfavor të palës shqiptare. Top Channel ka mësuar se rinegocimi është bërë në nivel tepër të lartë në Ministritë e Jashtme përkatëse, por jo me praninë e ekspertëve të mirëfilltë të fushës, çka lë të dyshohet se përsëri kjo marrëveshje është në disfavor të palës shqiptare. Për arsye që ende nuk dihen, pala shqiptare ka lënë jashtë negociatave stafin e ambasadës sonë në Athinë, për kundër Greqisë, ambasada e cilës që prej një viti ka ushtruar presion në radhët e politikës shqiptare. Burimet thonë se ‘marrëveshja e detit numër dy’, do të ndryshohet në interpretimin e disa termave, ndërsa në hartën në terren, nuk preken të dhëna thelbësore të saj, duke i lënë sërish Greqisë një sipërfaqe diçka më shumë se 200-250 kilometra katrorë në veri të ishujve Othons, pikërisht në zonën përballë Himarës e deri në afërsi me Karaburunin. Kjo zonë konsiderohet si tepër e rëndësishme në marrëveshjen e re, pasi aprovimi i saj në këto koordinata, i jep Greqisë përparësi në nxjerrjen e hidrokarbureve pikërisht në atë zonë, që sipas eksperteve, ndodhen të fshehura sasi të mëdha nafte dhe gazi. Rezervat në fjalë vlerësohen si lehtësisht të përpunueshme, por jo vetëm kaq. Me këtë ujdi, Athina zyrtare bëhet palë e tretë në ndarjen e detit me Italinë dhe i lejon asaj të ti negociojë me Romën zyrtare, rindarjen e kufirit të saj detar edhe pse dy vendet kanë ndarë kufijtë që në vitin 1976. Ujdia shihet si tepër e rëndësishme edhe për faktin se Greqisë i duhet një e tillë, në kuadër të përcaktimit të zonës së saj ekskluzive ekonomike me vendet që e kufizojnë atë, siç janë Egjipti, Turqia, Libia, Izraeli dhe pa dyshim në negociatat e saj me armikun e madh të saj, Turqinë. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, nuk ka qenë pasive as administrata amerikane, eksponentë të lartë të së cilës, kanë këshilluar Greqinë të mos vijojë në përcaktimin e kufijve detarë, pa negociuar më parë me fqinjët.

Pakti i fshehtë Berisha-Samaras për detin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›