Doris Pack: “Palët duhet të pranojnë rezultatin, qoftë ky dështim apo fitore”

Eurodeputetja Doris Pack flet zgjedhjet e 23 qershorit
Në një intervistë për mediat shqiptarë në Bruksel, Eurodeputetja Doris Pack deklaron, se këtë radhë nuk mund të tolerohet që një parti të kontestojë zgjedhjet në Shqipëri. Kjo do të ishte një katastrofë për vendin dhe për integrimin e tij europian. Pack thekson, se ndryshe nga i gjithë Ballkani Shqipëria ka mundur të lerë mbrapa një trashëgimi shumë të hidhur të një sistemi komunist totalitar dhe tani partitë politike duhet ti lenë mënjanë përplasjet dhe të punojnë për interesin e popullit shqiptar që dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Çfarë rreziku përfaqëson për Shqipërinë këtë radhë një proces zgjedhor i kontestuar sërish?
Kjo s’mund të ndodhë. Nëse ndodh sërish, do të jetë një katastrofë. Përderisa partitë kanë kryer reformën e zgjedhore, përderisa Kodi Zgjedhor është i mirë dhe përderisa do të ketë shumë vëzhgues, atëherë të dyja palët duhet të pranojnë rezultatin qoftë ky dështim apo fitore. Nuk mendoj, se në mund të tolerojmë dhe një herë që një parti të kontestojë zgjedhjet. S’duhet të harrojmë se të dyja palët e kanë bërë këtë. Nuk është vetëm opozita e sotme që ka kontestuar. Vite më parë edhe demokratët e kanë bërë këtë. Pra, këtë radhë, duhet që liderët e partive të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve. Përndryshe, nuk e di se ku do të shkojë Shqipëria. Sigurisht nëse ndodh kështu, kjo nuk e afron vendin me Bashkimin Europian, sepse duhet të tregohet pjekuri politike. Ju keni kontribuar kaq shumë për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.
A do të zhgënjeheshit nëse do ketë sërish probleme me zgjedhjet?
Do të ndihem e zhgënjyer, do më vijë në majë të hundës. Por i bëj thirrje të gjithë liderëve që të sillen si demokratë dhe si europianë. Ata duhet të zhvillojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pastaj të pranojnë rezultatin. Kjo është më e rëndësishmja.
Çfarë mendoni për nacionalizmin?
Të paktën për 20 vjet asnjë nuk përdori këtë retorikë nacionaliste. Për mua ishte e qartë, që kjo nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri. Dhe kjo vjen tani pas 20 vitesh, kur vendi është në shinat e integrimit drejt BE-së. Nuk ndihmon aspak. Krijon shumë keqkuptime jashtë Shqipërisë. E kuptoj që bëhet për një arsye. Por mendoj, se në asnjë vend të Bashkimit Europian nuk duhet të tolerojmë retorikë nacionaliste. Shpresoj që ata që e përdorin të heqin dorë prej saj.
...