E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifillojnë punimet në rrugën Qukës-Qafë Plloçë

26-03-2013 / Gazeta 55

Ridvan Bode: Shkurtohet me 3 herë distanca mes Tiranës dhe Korçës

Përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan i çel rrugë një tjetër projekti madhor në kuadrin e modernizmit të infrastrukturës dhe shkurtimit të distancave mes qyteteve të vendit. Bëhet fjalë për rrugën Qukës-Qafë Plloçë një aks tërësisht i ri i cili shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Tiranës dhe Korçës dhe gjithë juglindjes në më pak se 1 orë e 30 minuta nga 4 orë që është aktualisht. Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh dje se punimet nisin së shpejti, ndërsa vlerësoi se ky investim madhor do të sjellë më afërt tregjet dhe njerëzit, ul kostot dhe zhvillon në mënyrë të ndjeshme biznesin. “Pak ditë më parë ju bëra me dije miratimin nga Banka Islamike për Zhvillim të financimit në shumën 125 milion dollarë të rrugës Qukës-Qaf Plloçë. Më poshtë po ju jap disa pjesë të projektit të kësaj rruge e cila pas përfundimit së shpejti të rrugës Tiranë-Elbasan, do jetë një nga projektet infrastrukturore me madhore në vend, qe do ta afroje juglindjen me kryeqytetin në një kohë 2-3 herë më shpejt se sot. Korça nuk do të jetë më shumë se 1 orë e 30 min apo Pogradeci rreth 1 orë, Kolonja 2 ore e 30 min dhe Devolli 1 ore e 45 min. Një investim qe sjell më afër tregjet dhe njerëzit, ul kostot dhe zhvillon biznesin”, u shpreh Bode. Banka Islamike ka dhënë miratimin për financimin e rrugës Qukës–Qafë-Plloçë, në fund të muajit shkurt të këtij viti, duke i mundësuar kështu qeverisë vijimin me procedurat e tjera që lidhen me këtë projekt. Paketa e financimit nga Banka Islamike për Zhvillim llogaritet 125 milionë dollarë. Më herët Banka Islamike për Zhvillim ka financuar pjesën më të madhe të kredisë që qeveria përdor akoma dhe sot për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.

 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›