Paligjshmëria në lojërat e fatit, policia arreston dy persona dhe shpall në kërkim dy të tjerë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë së kundërligjshme të organizimit të lojërave të fatit, duke zbuluar tre ambiente ku zhvillohej kjo veprimtari.
Si rezultat i operacionit, Policia bën me dije se u sekuestruan tre makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe pesë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Gjatë veprimeve policore u arrestuan në flagrancë dy shtetas, katër të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy persona u shpallën në kërkim.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit nr. 1 arrestuan një 22-vjeçar dhe shpallën në kërkim dy shtetas të tjerë, pasi dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient të marrë me qira në rrugën “Aleks Çaçi”. Në këtë ambient u gjetën dy makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, si dhe çipsa e letra bixhozi.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit nr. 5 arrestuan një 39-vjeçar, pasi në lokalin që administronte në zonën e Bathores u gjetën një makinetë dhe një telefon celular që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Po ashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike nisën procedim penal ndaj katër shtetasve, pasi gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, secilit prej tyre iu gjet një telefon celular që dyshohet se përdorej për organizimin e basteve sportive.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
/e.i/ /a.g/