E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallati, me një okulist mik, del me dy kate

19-01-2013 / Nga Ilir Nikolla

Gënjeshtra u nis me arsyetimin “gëlqere e rërë e lirë”, “populli bënte thirrje që ne ta ngrinim pallatin”, “kati përdhes quhet bodrum, kurse papafingoja fole zogu” dhe u bitis me heshtje, kur duhej të flitej për fadromat e Ramës që hapnin sheshin e ndërtimit, apo për faturat e investimeve, që mungonin në intervistën e djeshme

Dalja televizive e Linda Ramës ishte një rekord përsa i përket listës së mashtrimeve që u detyruan të shqiptoheshin, nga halli se kostoja politike e Edi Ramës po bëhej shumë e papërballueshme për kastën që po tenton të paraqitet si alternativë zgjedhore më 2013. Zero përgjigjet për pyetjet e shtruara nga publiku u zëvendësuan me tmerrin e mashtrimeve seriale, të cilat, kishin si bosht hedhjen hi syve, shtjellimin e rolit të viktimës dhe futjen e “minares në thes”. Kulmi ishte arsyetimi për ndërtimin e ngritur në mes të lulishtes, në sytë e të gjithë banorëve të rrugës “Qamil Guranjaku”. Në emision u tha se ndërtimi kishte qenë i përballueshëm, pasi lekët nga emigracioni kanë qenë të thjeshta për t’u fituar (a thua e besojnë emigrantët që po lënë bretkun në Greqi e Itali?) dhe se gëlqerja e rëra kanë qenë të lira (ndërtimi është ngritur në vitet e krizës së sektorit të ndërtimit, në vitet 2007-2010). Arsyetimi i gënjeshtërt vijonte me solidaritetin që banorët kishin treguar ndaj ndërtimit në mes të lulishtes, meqenëse Lindës i takonte. Sikur në ekran, fotoja e pallatit dilte e përthyer prej një okulisti me mik, ndërtimi shpallej se ishte vetëm dykatësh, meqënëse kati përdhes na u quajtka bodrum e papafingoja, thjesht një hapësirë për fole zogu (a thua s’ishte me të njëjtën sipërfaqe ndërtimore si katet e tjera të pallatit). Krejt ky viktimizim i zuri minutat dashamirëse të emisionit e prej andej s’u tha asgjë e vërtetë, as për fadromat që kishte çuar Edi Rama për të prishur kioskat e shesh-pushimin në fund të 2005-s, në mënyrë që t’i hapej rruga ndërtimit të pallatit të Lindës, as për lejet në kundërshtim me Ligjin e Urbanistikës që kishte miratuar dy herë Edi Rama e as për kostot e vërteta të ndërtimit, të cilat duhet të justifikohen me fatura ndërtimi. Asnjë informacion s’u dha, pasi hapësira informative iu kushtua gënjeshtrave të Lindës, ndërkohë që minarja u tentua të futej në thes, duke u shpallur me një “okulist me mik”, një ndërtesë dykatëshe.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›