Palma e Artë, në Francë pas 20 vjetësh
Filmi francez “Entres les murs” fitoi “Palmën e artë” në Festivalin e Filmit në Kanë, ku konkurruan 22 filma.
“Palma e Artë”, rikthehet në Francë pas 21 vitesh. Një film francez mbi jetën në një shkollë të rreptë pariziene fitoi “Palmën e Artë” të këtij edicioni në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë. Mbrëmë, u zhvillua nata e madhe e ndarjes së çmimeve në Kanë. Ishin 22 filma, që morën pjesë në garën e këtij viti, që luftonin për çmimet e mëdha. Pavarësisht parashikimeve që shoqëruan gjithë festivalin, “Palmën e Artë” e fitoi filmi francez “Entre Les Murs”, e cila i riktheu këtë trofe sërish Francës, pas herës së fundit të fituar në vitin 1987. Është kjo palma e parë për shekullin e ri. “Brenda mureve” nga Laurent Cantet është një film i bazuar mbi një roman autobografik të François Begaudeau, ku tregohet jeta e tij si një mësues i ri. “Është një film i mrekullueshëm”, - u shpreh kryetari i jurisë së festivalit, e përbërë nga 9 anëtarë, aktori i njohur Sean Penn, i cili shpalli fituesin. “Ky ishte vendimi ynë unanim”, - tha ai. “Përmes këtij filmi, do të donim të ofronim një refleksion mbi shoqërinë franceze, e cila na shfaqet shumëplanëshe”, - u shpreh regjisori Cantet gjatë tërheqjes së trofeut. Një tjetër çmim i madh, i ndarë mbrëmë në kanë ishte ai “Grand Prix”, i cili iu dha regjisorit turk, Nuri Bilge Ceylan, “Three Monkeys”, një film i errët mbi sekretet familjare. Ky film mbi xhelozinë, mësohet të ketë qenë një ndër favoritët e jurisë për çmimin e madh.
Në rrafshin e aktrimit, një tjetër film i vlerësuar mbrëmë ishte “Che”. Aktori Benicio Del Toro fiton çmimin si aktori më i mirë me rolin e heroit revolucionar, Che Guevarësëon në filmin me regji të Steven Soderbergh. Teksa tërhiqte trofeun aktori 41-vjeçar, i konsideruar si “Brad Pitti latin” u shpreh se ia dedikonte këtë çmim pikërisht Che Guevarës. Ndërsa Sandra Corveloni fitoi çmimin si aktorja më e mirë në këtë edicion të festivalit. Ajo tërhoqi vëmendjen e jurisë me rolin e një nëne të katër fëmijëve, në mes qytetit të madh brazilian Sao Paolo në filmin “Line of Passage” me regji të Walter Salles dhe Daniela Thomas. Ishte aktori francez Jean Reno që i dorëzoi trofeun aktores, e cila u shpreh krenare që ushtron një profesion, i cili ka mundësi të tregojë atë çka ndodh në një vend. Aktorja 43-vjeçare ka luajtur në disa filma të shkurtër, por karriera e saj artistike është e lidhur më së shumti me teatrin. Çmimin e Jurisë e fitoi filmi “Il Divo” me regji të Paolo Sorrentinos, kushtuar Giulio Andreottit, 7 herë kryeministër i Italisë. Filmi i Sorrentinos herë herë shfaqet makiavelik e herë të tjera komik.
Festivali i këtij viti konsiderohet si tepër i “zymtë” sa i përket tematikave që trajtonin filmat pjesëmarrës. Varfëri, emigracion, përdhunime, krim i organizuar, politikanë të korruptuar. Kjo është panorama që u shfaq në ekranin e madh të kryeqendrës franceze të filmit përgjatë 12 ditëve konkurim. Për kryetarin e jurisë, Penn, ky ishte një vit i mbarë kinematografik në Kanë, edhe pse mësohet të ketë shfaqur keqardhjen e tij për mungesën e filmave-komedi në festival. Në listën e këtyre filmave të errët ishte edhe “Heshtja e Lornës” (“Le silence de Lorna”) e vëllezërve belgë, Dardenne, fitues dy herë të “Palmës së Artë”. Në këtë film që ndërthur një shumësi temash, që rrjedhin prej plagës së emigracionit, interpreton edhe aktorja kosovare Arta Dobroshi, e cila u konsiderua një zbulim i Dardenneve. Ajo interpreton rolin e një emigranteje shqiptare, së cilës i duhet të kalojë shumë sprova, deri sa të gjejë vetveten. Gjatë ditëve të festivalit, belgët u renditën mes pretendentëve për trofeun e edicionit të 61-të të Kanës. Megjithatë këtë vit trofeu u kthye në atdhe. Edicionin e këtij viti e nderuan një numër i madh emrash të njohur të botës së kinemasë. Angelina Jolie, Robert De Niro, Clint Eastëood, Penelope Cruz, Ëoody Allen, Steven Spielberg dhe Harrison Ford, por edhe yje të sportit si Mike Tyson dhe Diego Maradona kaluan nëpër tapetin e famshëm të kuq, të Kanës.