Paloka: Bllokimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, lojë e turpshme e Ramës

Deputetit demokrat akuzon kreun socialist se urdhëron deputetët të mos e votojnë atë, duke u pozicionuar kështu sërish në rolin bllokator të statusit kandidat
Qendrimi kushtëzues i paralajmëruar nga opozita për të mos votuar ligjin për Gjykatën e Lartë nëse nuk zhbllokohen fondet për drejtuesit socialistë në pushtetin vendor, nëse nuk zgjidhet çështja e kryesimit të Qarkut të Fierit dhe nëse nuk mbyllet reforma parlamentare, konsiderohet nga nënkryetari i deputetëve demokrat Edi Paloka si një lojë edhe më e turpshme se të shkuarat dhe si një bojkot i ri nga ana e Edi Ramës. Paloka i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, tha se nëse opozita nuk tërhiqet nga këto kushte të theksuara edhe nga Gramoz Ruci ditën e votimit të kufizimit të imunitetit, vërteton qëllimin e përhershëm të Ramës bllokimin e statusit të vendit kandidat.
Jo pa ironi numri 2 i deputetëve demokratë, thotë se kreu socialist urdhëron deputetët që më justifikime të turpshme të mos votojnë një ligj, kusht për integrimin, duke kujtuar se Shqipëria bëhet pjesë e Europës me ekspozita.
Ndryshimet ligjore për gjykatën e lartë vijojnë të jenë në rend dit dhe për javën e ardshme në komisionin e ligjeve. Shqyrtimi mund të nisë që të hënën nëse opozita do të jetë dakord. Mosmiratimi i këtij ligji do të bllokonte funksionimin i gjykatës administrative, pasi në Gjykatën e Lartë duhet të krijohet kolegji që do të shqyrtojë cështjet administrative.