E Diel, 1 Nëntor 2026

Pamje mahnitëse nga liqeni i Viroit në Gjirokastër


TIRANË, 2 maj /ATSH/ Liqeni i Viroit në Gjirokastër, është një thesar natyror i vendosur vetëm 3 kilometra larg qytetit. Ky liqen, i njohur për peizazhet e tij të mrekullueshme dhe biodiversitetin e pasur, është një destinacion i preferuar për ata që kërkojnë një ambient të qetë dhe të bukur natyror.

Kryeministri Edi Rama, ndau pamje mahnitëse nga bukuritë natyrore të liqenit në këto ditë pranvere, ku brenda ujërave të kristalta shihen bimë të shumta nënujore, ndërsa dikush lundron mbi liqen me kanoe.

Shëtitoret që lidhin qytetin e Gjirokastrës me Parkun e Liqenit të Viroit ofrojnë gjithashtu një eksperiencë të mrekullueshme për ata që duan të përjetojnë bukurinë natyrore dhe qetësinë e këtij vendi. Shumë njerëz zgjedhin të “humbasin” në qetësinë dhe paqen që ofron ky vend, larg zhurmës së qytetit.

Burimi i ujërave që dalin nga poshtë – lart përmes një guve në formë hinke shoqërohet nga prurje të shumta përgjatë gjithë vitit. Kjo kontribuon në krijimin e një ekosistemi të pasur dhe tërheqës nën ujë, ku bimësia e dendur dhe jeta e kafshëve krijon një botë të veçantë.

Liqeni i Viroit është një destinacion i veçantë për zhytësit dhe aventurierët, dhe ka mbrojtje ligjore si monument natyror që nga viti 1983.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›